Prokuroria për Krime të Rënda e Shqipërisë ka publikuar detaje të reja nga dosja Habilaj, ku është përfshirë në hetim dhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas prokurorisë hetimet për grupin e strukturuar kriminal kanë nisur një muaj pasi detyrën e kishte marrë Fatmir Xhafaj. Prokuroria bën me dije se data e fillimit të hetimeve është 29 prill 2017.
Në dosjen e prokurorisë thuhet se Policia ka bashkëpunuar me këtë grup, pasi ata jepnin garanci për kultivimin e drogës kundrejt shumave të ndryshme financiare. Parcelat e këtij grupi ishin të mbjella në pyjet më Vrezhdanishtit dhe Treblovës.
Po ashtu bëhet me dije se zyrtarë të ndryshëm të policisë jepnin informacione për kontrollet nga policia. Ardian Koçerri të cilit u sekuestruan dhe 4 ton kanabis, sipas prokurorisë kishte 6 muaj në hetim, shkruan gazeta Shekulli.
Ai dyshohet se ka lidhje me grupin e Habilajve ndaj të cilëve organi i akuzës ka nisur hetimet. Hetimet për Tahirin Sipas prokurorisë hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri kanë nisur vetëm pas arrestimit të Moisi Habiljat në Itali.
Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, tashmë është nën akuzë zyrtare, ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe trafik ndërkombëtar droge.