Aneks-kontrata për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, e cila ishte nënshkruar më 5 shtator 2018, sipas Institutit Demokratik të Kosovës pranon detyrimet e Qeverisë prej 53.1 milionë euro shndaj “Bechtel&Enka”, por nuk definon se çfarë mbulon kjo shumë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në nenin e 3 të këtij aneks-kontrate të publikuar një ditë më parë nga KDI-ja thuhet se 53.1 milionë euro është vlera e zgjatjes së afatit të kontratës për periudhën 18 janar-31 dhjetor 2018.
Por, sipas Diana Metushi-Krasniqi nga KDI, në nenet 6, 7 dhe 8 thuhet se me nënshkrimin e kësaj kontrate kontraktori pranon se nuk do të ketë pretendime lidhur me mungesat buxhetore gjatë viteve 2014-2018.
Ajo ka kërkuar nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, të shpjegojë se si ka ardhur deri tek shuma në fjalë, nëse në aneks-kontratë është dakorduar që kontraktori të mos ketë pretendime të tilla. Ndërsa organeve të hetuesisë u ka bërë thirrje publike që të hetojnë në mënyrë eksplicite arsyet e humbjes së 53.1 milionë eurove të qytetarëve të Kosovës.
“Ne kemi kërkuar nga hetuesia që të hetojë mënyrën se si është përllogaritur shuma prej 53.1 milionë eurove për vazhdimin e kontratës prej 18 janar-31 dhjetor 2018, përkatësisht 1 qershor 2019”, ka theksuar Metushi-Krasniqi.