Dënohet ish-shoferi i ‘Bechtel-Enka’

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 16:50 | Nga Ekonomia Online
Ish-shoferi i kompanisë ‘Bechtel-Enka’, Driton Asani, është dënuar sot nga Gjykata Themelore në Prizren me 2 vjet e 8 muaj burg pasi është gjetur fajtor në akuzën për rrezikim të trafikut publik.

Atij gjithashtu i është konfiskuar patenta e shoferit e kategorisë C1 për dy vjet pas vuajtjes së dënimit dhe, për ta rimarrë atë, do t’i duhet t’i nënshtrohet sërish testit të vlerësimit.

Bashkë me shpalljen e aktgjykimit dënues nga ana e gjyqtarit Mehmet Ndrecaj, të akuzuarit i është komunikuar se nga sot i është ndërprerë masa e sigurisë. Ai po qëndronte në paraburgim e arrest shtëpiak që nga 10 dhjetori i vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Driton Asani akuzohet se më 10.12.2017 rreth orës 04:55, në rrugën Prizren – Gjakovë, pikërisht në fshatin Krushë e Vogël, nga pakujdesia ka rrezikuar trafikun publik.

Sipas aktakuzës, Asani duke drejtuar automjetin transportues, kur kishte arritur në vendin kritik, kishte ndërmarrë veprim pa u siguruar që mund t`i rrezikojë pjesëmarrësit tjerë në komunikacion, dhe si pasojë e veprimeve të tij kishte ardhur deri tek goditja e automjetit ‘’VW Golf’’ me automjetin transportues.

Aktakuza shpjegon se vetura e kishte goditur mjetin transportues në boshtin e rrotave të pasme në anën e majtë, dhe si pasojë drejtuesi i automjetit Adem Elshani si dhe pasagjeri i tij Gazmend Gashi, kishin vdekur në vendin e ngjarjes nga lëndimet trupore që kishin marrë.

Në seancën ku i akuzuari kishte dhënë deklaratën e tij rreth aksidentit kishte deklaruar se “ka ndodhur shpesh që të punojmë jashtë orarit të punës, ndërsa ditën kritike kur ka ndodhur aksidenti kam punuar rreth 30 orë pandërprerë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme