Hetuesit bullgarë dërgohen në Shkup për t’ua marrë ADN-të familjarëve të të vdekurve

| 24 Nën 2021 | 17:12 | Nga

Një ekip prej gjashtë hetuesish nga Shërbimi Hetimor Kombëtar dhe tre prokurorë të Prokurorisë së Rrethit të Pernikut në Bullgari do të punojnë në procedurën paraprake për aksidentin e rëndë rrugor në autostradën e Strumës me 46 të vdekur, tha për BTV, zëdhënësja e kryeprokurorit, Siika Mileva.

Kryeprokurori i Bullgarisë do t’i dërgojë në Shkup një prokuror dhe një hetues, të cilët do ta dorëzojnë kërkesën për ndihmë juridike në Prokurorinë e Maqedonisë së Veriut. Në funksion të shpejtësisë dhe efikasitetit, ekipi i dërguar do t’i marrë personalisht dokumentet e kërkuara, transmeton Gazeta Express.

Për identifikimin e të vdekurve, ekipi bullgar do ta marrë ADN-në nga familjarët e të vdekurve për t’i krahasuar me profilet e ADN-ve të viktimave, përkatësisht për t’i identifikuar sa më shpejt.

Në funksion të elementit ndërkombëtar të çështjes, prokurorët e Departamentit Ndërkombëtar pranë Prokurorisë së Lartë të Kasacionit dhanë asistencë dhe koordinim të plotë në lidhje me paraqitjen e kërkesës për ndihmë juridike. Janë përcaktuar afatet më të shkurtra të mundshme për dorëzimin e dokumenteve të kërkuara.

Të ngjashme