Hetimet për grabitjen e armatosur që ndodhi sot pranë qendrës tregtare Albi Mall po vazhdojnë me intensitet të lartë. Nga policia bëjnë të ditur se është fokusuar në veturën e djegur të grabitësve, e cila është gjetur në Hajvali të Prishtinës dhe po ekzaminohet nga hetuesit për prova të mundshme.
Siç dihet deri më tani, katër persona të maskuar dhe të armatosur kanë kryer sulmin ndaj një furgoni që transportonte para, duke lënë të plagosur një pjesëtar të sigurimit, Fahri Ademin, dhe njërin nga grabitësit, Milan Vukojeviq. Që të dy ndodhen në Emergjencën e QKUK ku i janë nënshtruar operimeve.
Pas grabitjes, autorët u larguan me një automjet Pick-Up në drejtim të Graçanicës, për ta djegur më pas veturën në mënyrë që të shkatërronin çdo gjurmë. Hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorinë, po analizojnë vendin ku u dogj automjeti, me shpresën për të gjetur gjurmë të ADN-së, armëve apo objekteve tjera që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.