Shqipëria kthehet 40 vjet pas. Hidrocentrali i Skavicës mbi lumin Drini i Zi do të ndërtohet me fondet e shtetit shqiptar. Këtë fakt e ka bërë të ditur vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një ceremonie të mërkurën në Divjakë të Lushnjës, ku u finalizua ankandi ndërkombëtar për parkun fotovoltaik të Karavastasë.
Parku fotovoltaik i Karavastasë do të jetë më i madhi në Ballkan për energjinë diellore, një investim i huaj direkt mbi 100 milionë euro nga kompania franceze VOLTALIA, e shpallur fituese e ankandit ndërkombëtar, një proces i konsultuar dhe asistuar nga BERZH-i.
Ndërkaq, kreu i Qeverisë shqiptare bëri të ditur se pas disa dështimeve për të gjetur aktorët e duhur që të mund të investoheshin për projektin e HEC-it të Skavicës, është vendosur që ky hidrocentral të ndërtohet me fondet e shtetit, ku pjesën më të madhe të investimeve do ta përballojë KESH-i(Korporata Elektroenergjetike Shqiptare).
“Nga ana tjetër, ne më shpejt do të dalim në një proces tjetër që është një proces i menduar dhe i vonuar me më shumë dekada sesa vetë kjo periudhë e 30 vjetëve, projektimi dhe ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës. HEC-i i Skavicës ka qenë një objektiv historik i të gjitha qeverive shqiptare dhe të atyre të para viteve ’90. Është një objekt strategjikisht absolutisht i domosdoshëm, i vështirë, i komplikuar dhe për këtë arsye gjithmonë qeveritë e kanë pasur në plan, por asnjëherë nuk e kanë shtyrë procesin deri në fund. Ne jemi përpjekur në këto vite të gjejmë aktorët e duhur që të mund të investoheshin për këtë projekt, por tanimë kemi vendosur që, siç thoshin njëherë e një kohë, ta ndërtojmë me forcat tona dhe do ta ndërtojmë Skavicën me 100% fonde shtetërore ”, tha Rama.
Sipas shefit të Qeverisë shqiptare, projekti i HEC-it të Skavicës do të jetë një vepër e vështirë, por do jetë patjetër një vepër që do të transformojë rrënjësisht sistemin, duke garantuar optimizimin e gjithë kaskadës së Drinit. “Dihet që Skavica është një element i munguar i projektit origjinal të kaskadës së Drinit dhe do të jetë edhe fundi i derdhjes së ujit kur ka me tepri dhe i përmbytjeve që pastaj pasojnë si rezultat i derdhjes, pra i derdhjes së parave në formë uji në atë moment, duke shkaktuar dëme dhe duke i kushtuar pastaj buxhetit të shtetit gjithmonë shtrenjtë për të rikompensuar dhe për të ndihmuar njerëzit që të ringrihen”, tha Rama.
Ideja për ndërtimin e HEC-it të Skavicës ka rreth 40 vjet që qarkullon në të gjitha kabinetet dhe institucionet energjetike të Shqipërisë. Projekti për hidrocentralin e Skavicës është propozuar fillimisht në mesin e viteve ’80, të shekullit të kaluar, ku kanë përfunduar studimet hidrogjeologjike. Por vazhdimi i projektit dhe realizimi i tij nuk janë bërë të mundur për shkak të mungesës së fondeve nga qeveria komuniste e asaj kohe.
Specialistë të Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës në Shqipëri kanë theksuar se vlera për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës është shumë e lartë, dhe shteti e ka pasur të pamundur që të realizojë këtë investim me fondet e veta. Kjo vepër u vendos që të jepej me koncension për 30 vjet. Më pas, ky hidrocentral do t’i jepej shtetit shqiptar.