Hidrologu Kastrati: Situata nuk do të jetë stabile, reshjet e shiut do të vazhdojnë por me intensitet më të ulët

Prishtinë | 19 Jan 2023 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Pas reshjeve të dendura të shiut situatë e rëndë është paraqitur në disa komuna të Kosovës. Janë vërshuar disa objekte banimi, si dhe janë bllokuar disa rrugë në Mitrovicë, Pejë, Skenderaj, Deçan, Istog, etj. 

Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës në një prononcim ka thënë se situata në terren është e rënduar në disa pjesë të Kosovës për shkak të reshjeve të shiut.

Ai tha se situata më e rënduar paraqitet në Skenderaj, Mitrovicë, Skenderaj, Junik, etj.

“Me këtë situatë të re, të prurjeve të lumenjve siç po e shohim dhe faktikisht ashtu siç e kemi parashikuar para dy ditëve ashtu dhe ka ndodhur. Kemi vërshime në disa lumenj në disa pjesë të Kosovës, por situata më e rënduar është në Komunën e Skenderajt, Mitrovicës, Pejës, Junikut, etj”, ka thënë ai.

“Reshjet e shiut do të vazhdojnë me intensitet me të ulët, dhe në disa pjesë do të ndërpriten fare. Por, prapë situata nuk është stabile gjatë këtyre ditëve në vijim”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, reshjet e shiut do të vazhdojnë por me intensitet më të ulët.

Ndryshe, siç ka raportuar Telegrafi në disa komuna të Kosovës ka vërshime nga reshjet e shumta të shiut duke shkaktuar bllokim të rrugëve dhe përmbytje të disa shtëpive e banesave.

Të ngjashme