Gonzalo Higuain e zhvilloi ndeshjen e fundit si futbollist profesionist në mëngjesin e sotëm sipas kohës sonë lokale. Inter Miami u mposht me rezultat 3:0 nga New York City në ndeshjen e raundit të 1/8 në MLS, ndërkohë që Higuain nuk iu përmbajt lotëve dhe u shfaq tejet i emocionuar pas ndeshjes, transmeton Gazeta Expres.
“Ëndrra mbaroi këtu, tani fillon një jetë tjetër e re. Mbi 17 vjet karrierë dhe kështu shkoi gjysma e jetës sime. Mu kujtua e gjithë karriera ime. Po largohem shumë i lumtur sepse kam dhënë gjithçka nga vetja”, deklaroi sulmuesi i njohur argjentinas pas ndeshjes lamtumirëse.
34-vjeçari i shënoi 366 gola dhe i regjistroi 127 asistime në 784 ndeshje. Ka fituar tituj me Real Madridin, Napolin, Juventusin dhe Chelsea, gjithsej 14 trofe. Kurse me kombëtaren e Argjentinës u shpall nënkampion botëror në vitin 2014 dhe dy herë nënkampion në Amerikën Latine.
“Një shoku im i skuadrës më thoshte gjithmonë se duhet të tërhiqesh ti nga futbolli dhe jo futbolli nga ti. ‘Duhet të ndalesh kur të jesh ende në formë’, insistonte ai”, deklaroi Higuain, i cili mund të krenohet për karrierën e tij të gjatë dhe fantastike.