Diplomati amerikan Christopher Hill, ka folur për rolin e Hashim Thaçit gjatë periudhës së negociatave të vitit 1998, duke theksuar se, sipas njohurive të tij, ai nuk ishte ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk e di nëse ai [Thaçi] ka qenë një prej personave themelues të UÇK-së. Dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri vonë gjatë atij viti më sugjeron se ai nuk ka qenë. Por unë nuk jam në pozitë ta konfirmoj një gjë të tillë,” – tha Hill gjatë pyetjeve nga Prokuroria.
Gjatë dëshmisë, Hill foli edhe për takimin e 6 nëntorit 1998 në Dragobil të Malishevës, ku ishte diskutuar për marrëveshjen e përkohshme të propozuar për Kosovën.
Ai tha se nuk e dinte saktësisht arsyen pse Thaçi nuk ishte përfshirë plotësisht në negociata.
“Nuk e di arsyen- nuk mund ta them dot këtë gjë… Por mendoj se arsyeja e Thaçit ishte se ai ishte pro pavarësisë së plotë. Ndoshta nuk kishte autorizim apo kompetencë që të përfshihej me ne.” – deklaroi Hill.
Ai kujtoi se përfaqësuesit e UÇK-së kishin kërkuar të njiheshin si palë e barabartë në bisedime.
“Ata kërkonin pranimin tonë si bashkëbisedues, dhe ne ua bëmë të qartë se nëse UÇK-ja dëshiron të jetë pjesë e procesit, duhet të angazhoheshin në këtë marrëveshje.”- tha diplomati amerikan gjatë dëshmisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera, Hill pranoi se pas takimit në Dragobil, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e kishte refuzuar zgjidhjen e përkohshme për Kosovën. “Besoj që është e saktë. Më lejoni të theksoj se ne nuk kishim shumë fat për sa i takon gjetjes së një bashkëbiseduesi të UÇK-së që do të përfshihej më gjerë dhe që të jepte një kontribut më të përnjëmend.” – theksoi Hill.