“Po ministre, vërtet i kam duart me gjak” – Ish-komandanti i Koshares i përgjigjet Haxhiut me një video nga lufta

Prishtinë | 23 Shk 2023 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Pas përplasjes që patën sot në Kuvendin e Kosovës, ish-komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha, ka publikuar një video në faqen e tij në Facebook, gjatë luftës së Kosovës, diku në male, duke ironizuar kështu me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

POSTIMI I PLOTË:

Pretendimi se Hisen Berisha, i ka duart me gjak, tregon dëshpërimin e ministreshës Haxhiu, e cila po bënë e thotë gjëra të dëshpëruara.
Po ministreshë, i kam vërtetë duart me gjak.
Por, Ti tregoju shqiptarëve cilin nga këto viktimat e mia, ke mar urdhër me i mbrojtë, apo të gjithë?

Si institucionalist, i ndërtuar mbi patriotizmin shtetëror e kushtetues, njeri i ligjit e diciplinës ushrarake, luftëtarë për liri, drejtësi e demokraci, u impenjova sinqerisht ta shfaq shqetësimin qytetarë për të vëndosur drejtësi për vëllezërit Dehari, Arbenin e Monin, si dhe të gjitha vrasjet enigmë të pas luftës. Por, më befasoi për keq reagimi tejet indikativ, reagimi aq i ashpër ndaj interesimit tim, i ministrës znj. Albulena Haxhiu.
Kjo po më qon në dilemën a mos vallë kjo ka gisht në të gjitha dhe a ka gisht në mbylljen e rastit terrorist në gjykatë?! Sepse dihet se këto raste nuk kanë epilog aq të shpejtë.

Sjellja histerike e ministres, tregon se diku po ju dhemb e vërteta!?

Por, kjo situatë e pa dëshirueshme që krijoi preokupimi im i sinqertë, nga respekti për prindërit e dy të rinjëve Dehari, qoftë baba Avni i heshtur në kuvend, qoftë nana Xhemile, në studiot e pa mëshirshme televizive, më befasoj për keq, me reagimet dhe fjalët e pa matura e të rrezikshme për ligjshmërinë dhe demokracinë.

Deklarimet e sotme dhe ato të më hershme si dhe veprimet në raport me procesin e hetimit, prokurorinë dhe fjalen e lirë në kuvendin e Republikës, ma përforcojnë vlerësimin tim se “neokomunizmi që po provojnë të instalojnë kjo nomenklaturë debatikasish, është rrezik më i lartë se mundësia e një sulmi nga Serbia”.
Deklarimi i ministres së drejtësisë se, “duhet me jau ndalu me ligj me fol per vellezerit Dehari këtu” tregon se çfarë synojnë këta.

Pra, u pa që synojnë me ua mbyll gojën qytetarëve edhe deputetëve, të kërkojnë zbardhjen e të vërtetës dhe të vëndoset drejtësi. Njejtë kështu reagoi kjo ministre e dyshimtë, edhe ndaj prokurorit, duke i thënë: “hek dor sa është heret”!

Dua ta bëj të dutur se Hisen Berishës, nuk ka mujt as Millosheviqi me ushtrinë e tij nën udhëheqjen e pesë Gjeneralëve, t’ia ndal gojën, as fjalën, e s’do të mundet askush, as ju që as historin e Kosovës nuk e dini, e perzieni me atë të Serbis.

PËRPLASJA SOT NË KUVENDIN E KOSOVËS:

Fjalimi i deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, i cili për rastin e Astrit Deharit, tha se ka ndërhyrje direkte të Qeverisë dhe se interesi i VV-së është që ky rast të mos zbardhet ka nxitur reagimin e ashpër të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e VV-së tha se Dehari u vra gjatë kohës sa Berisha (PDK) ishte në pushtet dhe se edhe ai “i ka duart e përlyera me gjak”.

“Ju keni qenë në Qeveri kur është vrarë Dehari. Ju nuk keni të drejtë të flisni për Astritin. Ju i keni duart e përlyme me gjak. Marre. Ai është është vra në kohën e jauj. Mbylle”, tha Haxhiu.

Më herët, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se nuk është në interesin e Vetëvendosjes e as Qeverisë zbardhja e rastit të Astrit Deharit.

Sipas Berishës, Vetëvendosja i ka përdorur këto raste për qëllime politike.

“Këto ditë u riaktualizua rasti i vrasjes apo vetëvrasjes së Astrit Deharit. Zakonisht kjo qeveri dhe Vetëvendosja i ka përdor apo i përdor për qëllime politike, kjo tash është evidente. As pas ekspertizës së institucioneve zvicerane nuk ka ndonjë epilog apo vendim gjyqësor, çka vë në dyshim se kemi ndërhyrje direkte të politikës apo qeverisë në zbardhjen e këtij rasti apo mund të themi se interesi i politikës apo në këtë rast qeverisë është që ky rast të mos zbardhet”, tha Berisha.

Të ngjashme