Janë luajtur plot 11 ndeshje deri më tani në këtë botëror në mes përfaqësueseve që nuk janë përballur në të kaluarën. Por Brazili e Meksika janë rival të moçëm.
Këto dy përfaqësuese do të takohen të hënën (sot) prej orës 16:00 në Samara në ndeshjen e pestë rresht të një të tetës së finales së botërorit “Rusia 2018”, shkruan BBC, transmeton “Koha Ditore”.
Do të jetë kjo ndeshja e 41-të mes Brazilit e Meksikës. Brazili është dukshëm më i suksesshëm me plot 23 fitore, ndërsa Meksika ka fituar dhjetë herë. Në katër përballje në Kupë të Botës, Meksika nuk ia ka dalë ende të shënojë gol.
Mund të ketë ndonjë mungesë në lojën e Brazilit, por assesi motivim. Brazilianët janë shumë të motivuar për të përmirësuar gabimin që e bënë katër vjet më parë. Ndonëse humbja e famshme 7:1 nga Gjermania erdhi vetëm në gjysmëfinale, ajo ishte një faktor i rëndësishëm qëkur nisën kualifikimet për këtë botëror tre vjet më parë.