Rusia del e dyta për numër të viktimave të Covid-19, e lë pas Brazilin

Prishtinë | 31 Dhj 2021 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Rusia del e dyta për numër të viktimave të Covid-19, e lë pas Brazilin

Rusia ia ka zënë vendin e dytë Brazilit në listën e shteteve me më së shumti të vdekur nga pandemia, sipas shërbimit shtetëror rus të statistikave. Në vendin e parë mbeten bindshëm Shtetet e Bashkuara.

Shërbimi rus i statistikave, Rosstat, tha se 87.527 persona kanë vdekur nga shkaqet e lidhura me koronavirusin në nëntor, duke e bërë atë muajin më vdekjeprurës në Rusi që nga fillimi i pandemisë, shkruan Reuters.

Sipas llogaritjeve të agjencisë Reuters, të mbështetura në të dhëna zyrtare, numri i përgjithshëm i viktimave në Rusi ka shkuar në 658.634, duke e lënë prapa Brazilin me rreth 618.000 të vdekur.

Deri më tani, shifra e viktimave të pandemisë në Rusi nuk është ndikuar nga varianti Omicron dhe është shkaktuar kryesisht nga rritja e infeksioneve në tetor dhe nëntor, fajin për të cilën autoritetet ua kanë hedhur variantit Delta dhe fushatës së ngadalshme të vaksinimit.

Rusia është duke u përgatitur për një valë të re të infeksioneve në fillim të vitit të ardhshëm, që pritet të shkaktohet kryesisht nga përhapja e variantit Omicron.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme