Historia frymëzuese e zonjës Shukrije nga Prizreni

Prishtinë | 02 Dhj 2018 | 23:17 | Nga Ekonomia Online

Prizreni ndoshta është qyteti i vetëm në Kosovë, që ka arritur ta ruajë më së miri konstruktin ariktektonik. Rrugët e shtruara me kalldrëm në sheshin “Shatërvan” e bëjnë ecjen të këndshme, ndërsa shtrirja përreth e objekteve që vazhdojnë të ruajnë një sharm të trishtë dhe mikpritës, të bën të ndihesh sikur ecën përmes vitesh historie.

Të gjithë, që kemi qenë të paktën njëherë, e njohim Prizrenin. Dikush më shumë e dikush më pak, të gjithë e kemi një ide të përbashkët se si duket sheshi, fontana e famshme e Shatërvanit, xhamia e Sinan Pashës, Ura e Gurit, Kalaja, aty-këtu ndonjëra nga kishat dhe shumë prej nesh na vjen në mendje edhe Marashi me rrapin shekullor. Por, jam i sigurt që jo shumë njerëz e dijnë historinë e zonjës Shukrije, ndërmarrëses që ka bërë një investim prej gjysmë milion eurosh në Prizren.

Rruga që të çon drejt Kalasë së Prizrenit është më shumë një trotuar i pjerrët dhe në gjendje të mjerueshme, sesa një rrugë normale, që, larg qoftë të bëhet me makinë. Por, nuk është çudi të gjesh makina të rralla që e kalojnë për të shkuar tek lagjia Nënkalaja, apo për t’u afruar deri tek restaurant “Villa Argjiro”. Ecja bëhet e mundimshme aty ku rruga fillon të ngushtohet dhe është e rrezikshme në kushte të temperaturave të ulëta dhe ngricave të mëngjesit e mbrëmjes, sidomos në zbritje.
Megjithatë, duke qenë se e kisha bërë disa herë këtë rrugë për të vizituar Kalanë e Prizrenit, një monument arkitektonik që ka mbijetuar shekujt që nga koha e Bizantit, e kisha të njohur ndjenjën e mbushjes frymë në pjerrësinë pothuajse vertikale të ngjitjes.


Rruga që të qon te Kalaja e Prizrenit

Përafërsisht në gjysmë të rrugicës, në anën e djathtë gjendet një kishë e vogël ortodokse e shekullit të katërmbëdhjetë. Në të njëjtin udhëkryq, majtas shkohet me makinë deri tek restauranti, ndërsa drejtë përpjetë vazhdon ngjitja dhjetë-pesëmbëdhjetë minutëshe për te kalaja. Pas, ndoshta pesëdhjetë apo njëqind metrash nga Kisha e Shën Spasit, mund të hysh në restaurant nga hyrja që del në rrugicë.


Villa “Argjiro”

E gjithë historia e zonjës Shukrije fillon këtu. Ajo po bisedonte me një burrë në oborrin e vogël të lokalit, që më vonë doli të ishte i vëllai. Kur më pa, më përshëndeti ngrohtësisht dhe pasi e pyeta nëse kishin filluar punën (ora sa kishte shënuar dhjetë e gjysmë), më uroi mirëseardhje, teksa më udhëhoqi brenda restaurantit. E qeshur dhe plot energji, fliste lirshëm me mua, thua se ishim takuar kohë më parë dhe ky ishte vetëm edhe një takim më shumë mes miqsh.

Brenda nuk kishte njeri. Prizreni shquhet si një nga qytetet më të vizituara nga turistët në Kosovë, por kishte plot faktorë, që atë mëngjes të ftohtë dhjetori, i kishin mbajtur njerëzit në vende të ngrohta, ku nuk kërkohet të bësh ngjitje në këmbë në minus katër apo pesë gradë. Andaj edhe isha klienti i vetëm në gjithë restaurantin.

Lokali në pamje të jashtme paraqet një ndërtesë me arkitekturë orientale, tipike të zonës, me dritare me grila dhe korniza të drurit, fasadë të bardhë të rrafshët, terrasa me parmakë druri dhe pjesa e katit përdhes me mure prej guri. Brendia është krejt tjetër gjë. Shija e ideatorit është një përshtatje e modernes brenda tradicionales. Tavolinat dhe karriget me stil modern, janë përshtatur me ngjyrat e dyshemesë, ndërsa nga sipër varen disa llambushka të madhësive të ndryshme, ku sipër lidhjeve nyjë janë të vendosura tjegulla me ngjyrë terrakote. Bari (zhg. shank) dhe kuzhina janë krejtësisht transparentë dhe vizitorët mund të shohin procesin e përgatitjes së ushqimit. Tutje kah fundi i gjithë kësaj hapësire, janë tualetet moderne.


Ambienti i brendshëm

Ndërsa ulem në pjesën qëndrore, në një nga vendet për gjashtë persona, afër dritares, zonja Shukrije më shoqëron dhe ndërkohë i përgjigjet interesit tim për të ditur më shumë për vendin. Entuziazmi i saj teksa tregon se çfarë pajisjesh ka sjellur në Kosovë nga Zvicra, përbërësit e veçantë për ushqime të ndryshme, sfidat me të cilat është përballur dhe dëshira e saj për të sjellë frymë të re kulinarie dhe turizmi, është i mahnitshëm. Frymëzimi që më ngjall kjo zonjë modeste shkrihet me pamjen madhështore të qytetit të Prizrenit.

Pamja e Prizrenit nga dritarja

Zonja Shukrije është e lindur në fshatin Korishë të Prizrenit, por jeton në Zvicër me djalin dhe vajzën, pasi burri i saj, Hamdiu, ka vdekur në një aksident në vendin e punës. Në vitin 2016 e ka blerë objekin e shkatërruar tërësisht dhe meqë është i vendosur në zonën e mbrojtur, ka vendosur ta renovojë atë. Hidroizolimi i zonës dhe ruajtja e arkitekturës orientale i kushtuan më së shumti, por ajo është e lumtur me çfarë ka bërë. Kur e pyes pse, përgjigjet thjeshtë “kam dëshiruar të ndryshoj diçka në vendin tim”.

Pasi më prezanton me të vëllain, Ramadanin, me rekomandimin e saj, ky i fundit më sjellë një çaj Latte, të cilin zonja Shukrije e ka sjellë nga Zvicra. Ndërmarrësja modeste ma përgatit vetë dhe më shpjegon mënyrën e veçantë se si pluhuri i çajit duhet të hidhet në gotë, para se të mbushet me ujë të valë. Shija e çajit e eliminon nevojën për ta ëmbëlsuar me sheqer apo çkado tjetër.

Në pjesën e jashtme janë vendosur dy flamuj, i Shqipërisë dhe i Zvicrës. E shikoj me admirim teksa e shpreh dashurinë që ka për Prizrenin, për Kosovën dhe për shqiptarët kudo që janë. Njëkohësisht tregon sa mirënjohëse është ndaj shtetit të Zvicrës që i ka hapur dyert e perspektivës asaj dhe familjes së vet, andaj krahas flamurit shqiptar që e ka në zemër, e ka vendosur edhe flamurin e Zvicrës në shenjë respekti. “Po të mos ishte Zvicra, unë nuk do ta bëja këtë ëndërr realitet”, shprehet ajo.
Patriotizmi i zonjës Shukrije nuk ndalet vetëm tek investimi gjysmëmilionësh në Prizren. Ajo më tregon se si i ka paguar njerëzit rregullisht që të pastrojnë gjithë rrugicën që të dërgon nga Xhamia e Sinan Pashës deri tek Kalaja e Prizrenit, ndonëse mirëmbajtja e rrugës publike nuk është përgjegjësi e saj. Mundohet të mos shprehë negativitet, por nuk arrin dot ta mbajë mllefin ndaj papastërtisë së vazhdueshme dhe mosinvestimeve të komunës në rregullimin e infrastrukturës që të dërgon te Kalaja.


Gjendja e mjerueshme e natyrës – e shkaktuar nga faktori “njeri”

Kalaja e Prizrenit është monument i mbrojtur me ligj dhe në zonën përreth, që është pjesë integrale e Kalasë, nuk lejohen ndërtime tjera, përveç atyre që kanë pasur lejet e mëhershme. Kjo përfshin edhe çfarëdo ndërhyrje tjetër. Zonja Shukrije bën me dorë në drejtim të një pjese me plotë pemë nën hyrjen e Kalasë dhe thotë se aty është bërë pothuajse një deponi e mbeturinave, sidomos nga shishet dhe hedhurinat e tjera të plastikës. Kjo ndërmarrëse afariste, më emocionon teksa flet me entuziazëm se si planifikon të marrë lejen e Komunës për të bërë vetë pastrimin e gjithë zonës. Është mbresëlënëse t’i shohësh sytë e kësaj zonje se si vezullojnë nga shkëlqimi i ambicieve për të krijuar një ambient të pastër, për ta ruajtur dhe promovuar zonën dhe për të krijuar mjedis modern që rrit cilësinë e turizmit.

Pa përtesë, më tregon edhe dhomat e fjetjes që i ka kompletuar në muajin e fundit, menjëherë një kat më poshtë, dhe që janë të gatshme për shfrytëzim nga turistët që kalojnë natën në Prizren. Ndonëse ankohet për sjelljet e disa individëve që i kanë shkaktuar dëme, ajo prapë me vetëbesim thotë “ndoshta vitin tjetër do ta lë fare punën në Zvicër dhe të kthehem të punoj në Kosovë”.

Vlerësimi i saj për vëllain, për familjen dhe miqtë e tjerë që e kanë ndihmuar, është fisnik. Mesazhet mirënjohëse, që shpreh në çdo fjalë që thotë, janë brillante. Ambicia e zonjës Shukrije për të vazhduar me investime shtesë në biznesin e saj ështe e pabesueshme, ndërsa vullneti i hekurt për të bërë ndryshime pozitive në komunitet, konkretisht në ambientin përreth Kalasë së Prizrenit, është i pashembullt.

Më përcjellë deri aty ku parmakët e oborrit ndërpriten për t’i lënë vend një hapësire sa për të dalë në rrugicë. Me sytë plot dritë, më përqafon ngrohtësisht dhe, ndërsa unë marr rrugën drejt Kalasë, zonja Shukrije i rikthehet punës me zellin e pafund.

Ndonjëherë njeriu merr rrugën për të arritur në një destinacion të caktuar, por nuk duhet të ketë frikë nga marrja e kthesa të paplanifikuara, ngase ka aventura në jetë që na ndryshojnë rrënjësisht, na transformojnë dhe na bëjnë të jemi njerëz më të mirë. Kjo ishte historia e zonjës Shukrije, gruas shqiptare ndërmarrëse, që e do familjen, punën, suksesin e përbashkët, vendin e vet, dhe mbi të gjitha, është mirënjohëse për gjithçka në jetë.
Edhe unë, edhe ti që po lexon këtë histori, mund të bëhemi shembulli që zonja Shukrije është bërë për ne.

Autor: Besnik Avdiaj

Të ngjashme