Alireza Berianvand ia priti penalltinë Cristiano Ronaldos në takimin ndërmjet Portugalisë dhe Iranit
Kombëtarja e Portugalisë luajti baraz 1:1 me Iranin një një ndeshje ku Cristiano Ronaldos ia priti penalltinë Berianvand, i cili ka një histori prekëse si fëmijë.
Beiranvand ka lindur në Iran në një familje barinjsh dhe ëndrra e tij ishte të luante futboll, por i ati i tij nuk e linte pasi i thoshte që ‘futbolli nuk të jep për të ngrënë’.
Më poshtë e keni rrëfimin e plotë të portierit iranian:
Alireza Beiranvand lind në Iran në një familje barinjsh nomadë. Si fëmija më i madh nis kullotjen e bagëtive në moshë fare të vogël. Me shokët, kur gjen kohë, luan futboll dhe Dal Paran (lojë iraniane ku duhet t’a hedhësh gurin sa më larg të mundesh)
Kur Alireza bën 12 vjeç, familja e tij vendoset në fshatin Sarab-e Yas. I ati do që Alireza-i të mësojë një zanat, sepse futbolli nuk të jep për të ngrënë. Shpeshherë të birit i shqyen dorezat e portierit vetëm e vetëm që t’i pengojë ëndrrën në formë topi.
Alireza-i nuk dorëzohet. I kërkon para borxh një kushëriri dhe niset drejt Teheranit. Dëshiron patjetër të luajë e të bëhet futbollist. Rrugës për kryeqytet, në autobus njihet me një trajner. Ky pranon që i riu të stërvitet me skuadrën e tij, por në këmbim i duhet të paguajë një shumë parash, të cilat udhëtari ëndërrimtar nuk i ka. Nuk ka as një vend ku të strehohet në Teheran.
Netët e para fle në zonën e Kullës së Azadit, monument rreth të cilit mblidhen emigrantë e të pastrehë. Një mëngjes gjen afër vetes disa monedha të hedhura nga kalimtarët. E kishin marrë për lypës. Me ato monedha më në fund ka mundësinë të hajë një mëngjes për të qenë.
Nga Kulla, nis të flejë përpara derës së klubit me të cilin stërvitet, atë të trajnerit që takoi në autobus. Një shok ekipi i rregullon një punë në rrobaqepësi, aty të paktën gjen edhe një krevat ku mund të mbyllë sytë natën.
Pas kësaj përvoje nis të punojë në një lavazh. Është i gjatë dhe i caktojnë pastrimin e fuoristradave. Në lavazh i lan makinën trajnerit të Naft-e-Tehran. Fillon të luajë me ta dhe të flejë në dhomën që përdoret për faljet. Kur i thonë që duhet të flejë diku tjetër nis të punojë në një piceri ku i ofrojnë strehim.
Nga piceria e largojnë pasi nuk pranon t’i shërbejë ushqim trajnerit kur vjen si klient (ky i fundit nuk e dinte se ç ‘peripeci e sakrificë po kalonte lojtari për të mbajtur veten në kryeqytet) dhe nis të pastrojë netëve rrugët e qytetit.
Me mundime e probleme arrin të zërë vend në formacion dhe luan për grupmoshën U-23 të Iranit. Bëhet i famshëm për një pasim me dorë diku te 70 metra që kthehet në gol nga shoku i skuadrës sulmues. Kujtoni që i vogël argëtohej duke hedhur gurët sa më larg me shokët e fëmijërisë.