Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka kërkuar që të organizohet një protestë e madhe popullore, kundër ndalimit të punimeve në ndërtimin e rrugës Deçan – Plavë.
Në një reagim nga LHK “Ali Hadri” dënohet “fushata kundër rrugës Deçan – Plavë, e ndërmarrë nga Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç”.
Historianët e Deçanit kanë kërkuar edhe nga faktori ndërkombëtar “që të distancohen dhe të mos e pengojnë ndërtimin e rrugës nacionale Deçan – Plavë”.
“Politika anti shqiptare e Manastirit të Deçanit vetëm sa po vjen e po forcohet, andaj i bëjmë thirrje Manastirit dhe personelit të tije, që të tërhiqet nga lojnat e ndyra të cilat do të prodhojnë destabilizim të rendit të përgjithshëm në Deçan dhe rrethinë”, thuhet më tej në reagim.
LHK “Ali Hadri” – Dega në Deçan, ka ftuar forcat politike në Deçan të unifikohen dhe të përgjigjen kundër “iniciativës së serbo-madhit Janjiç për ndalimin e ndërtimit të rrugës Deçan – Plavë, dhe kërkojmë që të organizohet një protestë e madhe popullore, me të cilën do të kërkohet ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë”.