Në kuadër të përkrahjes së liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, dhe lirimit të tij sa më të shpejt, u mbajt një tryezë shkencore ku morën pjesë profesorë e historianë, të cilët folën për periudha të ndryshme kohore se si Serbia ka kryer krime në popullatën civile në Kosovë.
Në konferencën të titulluar “Gjenocidi serb në Kosovë”, u tha se serbët kanë kryer holokaust ndaj shqiptarëve dhe nuk po e përballojnë dot humbjen ndaj Kosovës. AAK-ja me fotografi ka rikujtuar masakrat e serbëve në Kosovë.
Historiania Fitnete Ramosaj tha se “holokausti serb” në Kosovë kundër shqiptarëve nuk është ushtruar vetëm në një periudhë, por herë pas here gati një shekull.
“Serbia s`po mund ta përballojë humbjen që ka pasur në Kosovë, sidomos në Dukagjin aty ku ishte komandant Ramush Haradinaj, e për këtë Serbia edhe mban fletarrest për Haradinajn”, tha Ramosaj.
Profesori i historisë, Hakif Bajrami, ka folur për krimet serbe deri në vitin 1989 në Kosovë.
“Nuk jemi popull që luhet me fatin tonë, ne duhet t’i ruajmë luftëtarët tanë që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi”, ka thënë ai.