Historiania Mrika Limani-Myrtaj i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook.
Postimi i plotë:
Historiania e re Mrika Limani-Myrtaj është bërë pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Mrika aktualisht po vazhdon studimet doktorale në Universitetin e Prishtinës me temë disertacioni “Lëvizjet anti-kolonialiste dhe lëvizjet anti-sistemike në Kosovë 1941-1999“. Studimet master i ka mbaruar në Uppsala University në Suedi dhe është angazhuar si asistente në Fakultetin Filozofik. Tashmë ka publikuar dhe ka mbajtur shumë kumtesa shkencore dhe brenda dhe jashtë vendit.
Me Mrikën na bashkon bindja se historia nuk është diçka as e kulluar dhe as e përfunduar, por një fushë studimore e cila pret të kërkohet nga shkenca dhe të mendohet nga kritika. Kërkimin shkencor dhe mendimin kritik nuk mund të vazhdojmë të rrimë pa i mbështetur, ndërsa mashtrimit duhet t’ia ndërpresim mbështetjen shtetërore. Ndryshimet progresiste në shoqërinë dhe politikën tonë bëhen më mirë e më shpejt me studiuese të pasionuar dhe qytetare të ndërgjegjshme si Mrika.