Ideja dhe nisma për themelimin e një institucioni për mësimin e gjuhës shqipe për të huajt, që do të arrijë tek ajo që ne sot popullorçe e njohim si Seminari ka qenë e profesor dr. Idriz Ajetit dhe është mbështetur nga komuniteti shkencor e kulturor ku vepronte ai në Kosovë, e me këtë edhe nga instancat shoqërore të Kosovës.
Në mënyrë të heshtur, e në rrethana të caktuara edhe haptazi Seminari, i atillë siç ishte, ndërkaq, kundërshtuar nga qarqe politike në Beograd, sidomos në situatat e krizave pas vitit 1981 për të arritur pikën e kulmit të kundërshtimit më 1988-9 dhe përfundimisht me nxjerrjen e tij jashtë ligjit bashkë me institucionet e tjera, shkruan Rexhep Ismajli, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.
Si shprehje e nevojave dhe interesave të komunitetit të studiuesve shqiptarë dhe të tjerë Seminari mbijetoi dhe vazhdoi jetën e tij.
Historiku
Në dimër të vitit 1973/74 në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të (atëherë) Fakultetit Filozofik me nismën e shefit shumëvjeçar dhe albanologut të shquar profesor Idriz Ajetit u diskutua për nevojën e themelimit brenda këtij fakulteti të një qendre për mësimin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare për të huajt.
Dega e priti me mirëkuptim tërë nismën, ndërsa profesor Ajeti ishte ai që do ta diskutonte mundësinë e themelimit edhe me instancat jashtë Fakultetit. Më vonë profesor Ajeti na kishte treguar se çështjen e kishte biseduar dhe në nivele të tjera brenda Kosovës dhe e kishte marrë edhe pajtimin e tyre. Në Degë u morën vendime për organizimin, për kohën kur do të bëhej veprimtaria e parë, për njerëzit që do të merreshin me përgatitjen e tekstit të mësimit dhe të materialeve të tjera të nevojshme, ashtu si dhe të programit. Për hartimin e tekstit u caktuan H. Agani, M. Bardhi dhe R. Ismajli, i cili ishte caktuar dhe sekretar i seminarit, ndërsa profesor Ajeti ishte caktuar drejtor.
Përgatitjet reale nisën vetëm më vonë në maj. Pastaj u nisën ftesat e para. Ndërkohë H. Agani kishte hequr dorë nga puna për tekstin, kështu që ajo mbeti për ne dy të tjerët. Në qershor ndiheshim jo shumë komodë, sepse ende nuk e dinim a do t’ia dilnim të zgjonim interesimin e një numri të mjaftueshëm të pjesëmarrësve dhe a do të kishim mundësi të ofronim përmbajtje të mjaftueshme të një niveli përkatës. Gjatë kësaj kohe (qershor-korrik) hartuam tekstin “Kurs i gjuhës shqipe për të huaj”, bëmë programin dhe ia dolëm të siguronim pjesëmarrjen e një numri të mjaftueshëm studiuesish. Të gjitha ftesat ishin bërë duke u mbështetur te njohjet që kishim dhe te përvoja e mëhershme e Degës në komunikimet me studiuesit jashtë Kosovës.