Ish-selektori i Zvicrës mendon se ka ardhur koha kur ylli kosovar duhet të ndërrojë mjedis dhe të transferohet në një klub ku do të mund të luante rregullisht
Ottmar Hitzfeld e njeh shumë mirë Xherdan Shaqirin, me të cilin kishte punuar në të kaluarën në Kombëtaren e Zvicrës, shkruan Gazeta Express.
Trajneri gjerman ka folur për yllin kosovar, të cilin e ka këshilluar të largohet nga Liverpooli në ditët e fundit të afatit kalimtar.
Përfaqësuesi zviceran luajti vetëm 263 minuta për “Reds” në sezonin 2019/2020.
Kjo është e pamjaftueshme për një lojtar si Shaqiri, i cili ka kualitet.
Prandaj, Hitzfeld shpreson që ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit dhe Stoke Cityt të ndërrojë mjedis qysh tash.
“Shaqiri për momentin është në njërën prej skuadrave më të mira në botë. Ai është talent i madh. E kam parë qysh nga koha e Baselit, kur ishte i ri. Kur është futur në skuadrën e parë, e kam ftuar menjëherë në Kombëtare. Atëherë i kishte gati 18 vjet dhe ia kam dhënë rastin. Teknikisht është perfekt: mund ta vendosë lojën i vetëm”, ka thënë 71 vjeçari për “Blues Sport”.
“Në Liverpool nuk është e lehtë të luajë. Aty ka konkurrencë enorme. Është një mëkat për të që s’ka mundur të përshtatet. Shpresoj që ai të ndërrojë ekip, në mënyrë që të luajë rregullisht. Do të kishte sigurisht më shumë gëzime për t’i përjetuar dhe shituar”, ka vazhduar Hitzfeld.