Qyteti amerikan i Hjustonit ka përjetuar stuhinë më të madhe në historinë e shtetit të Teksasit, thonë meteorologët.
Mbi 75 centimetra shi kanë rënë në disa pjesë të qytetit në fundjavë, duke i shndërruar rrugët në lumenj dhe duke e bërë të pamundur lëvizjen përveç me anije.
Qindra rrugë janë mbyllur, spitalet janë evakuuar dhe mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.
Shkollat po ashtu janë mbyllur, ndërsa fluturimet komerciale nga dy aeroportet kryesore të qytetit janë pezulluar.
Derisa stuhia Harvey vazhdon të godasë Teksasin me shira të furishëm, autoritetet po përdorin helikopterët për të nxjerrë njerëzit nga çatitë e shtëpive.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, u tha mediave se nuk mund të konfirmojë raportet për disa njerëz të vdekur nga stuhia.
Shërbimi Kombëtar i Motit tha se kushtet janë “të papara”.