Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka qenë në një vizitë në Hagë, ku ka takuar ish-krerët e UÇK-së. Në Frontal të t7, avokati Taulant Hodaj, foli për deklaratën e Konjufcës, që tha se ka disa shkelje ndaj të paraburgosurve.
Hodaj tha se deklarata e Konjufcës mund të shkaktojë dëm indirekt pasiqë “Prokuroria speciale i shfrytëzon çdo deklaratë të udhëheqësve të institucioneve në mënyrë që të kundërshtojë çdo kërkesë për lirim nga paraburgimi”.
“Fatkeqësisht mundet indirekt, sepse e kemi parë që Prokuroria Speciale i shfrytëzon çdo deklaratë të udhëheqësve të institucioneve apo atyre institucioneve që kanë ndikim, në mënyrë që të kundërshtojë çdo kërkesë për lirim nga paraburgimi”, tha Hodaj.
Gjithashtu, Hodaj tha se nëse Konjufca mendon që nuk ka mekanizma atëherë duhet ta udhëheqë një proces politik dh Kuvendi i Kosovës ta krijojë një mekanizëm në partneritet me miqtë ndërkombëtarë.
“Unë besoj që Glauk Konjufca ka qenë në konsultim me avokatët mbrojtës përndryshe nëse me të vërtetë mendon ashtu duhet të veprojë politikisht por jo vetëm të bëj deklarata të rrij aty sepse atëherë kjo do të jetë dëm për të. Nëse ai mendon që nuk ka mekanizma atëherë duhet të udhëheqë një proces politik dhe Kuvendi i Kosovës të angazhohet të krijojë një mekanizëm në parteritet me miqtë nderkombëtarë”, tha Hodaj.
Konjufca sot tha se Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, Haradinaj, Gucati e Mustafa kanë shqetësime për disa shkelje që po bëhen nëpër procedura për të cilat nuk ka mekanizëm të ankesës.
“Unë vizitova zotëri Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, Haradinaj e Gucati për Sali Mustafën është më i veçantë. Të gjithë janë mirë me shëndet dhe shumë të fortë me vullnet. Shqetësimi i tyre dhe mbrojtjes është që pretendohet për disa shkelje që po bëhen nëpër procedura për të cilat nuk ka kurrfarë mekanizmi të ankesës. Kjo gjykatë është absolutiste dhe nuk është në kontrollin e askujt. Aktakuza e cila rëndon mbi ta lë hapësirë për inkriminimin e UÇK-së”, tha Konjufca.