Qeveria holandeze njoftoi të mërkurën se do të paguajë me nga 5.000 euro, të gjithë veteranët e ushtrisë që kanë shërbyer në kuadër të misionit paqeruajtës të Kombeve të Bashkuara në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës.
Pagesa do të bëhet, për siç është thënë “shërbimin e tyre në kushte të tmerrshme”.
Më 1995 misioni i Kombeve të Bashkuara nuk arriti të parandalonte gjenocidin ndaj myslimanëve të Bosnjës, raporton AP-ja.
Holanda ka pasur në Bosnje rreth 850 ushtarë.
Trupat holandeze kanë qenë të pranishme në Srebrenicë kur luftëtarët serbë të Bosnjës, të armatosur rëndë dhe të udhëhequr nga gjenerali, Ratko Mladiq, u futen në qytet dhe vranë e masakruan më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë.
Mladiq është dënuar për gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi në Hagë.
Prej kohësh, Holanda është ballafaquar me pasojat e kësaj ngjarjeje. Qeveria e ish-kryeministrit Wim Kok dha dorëheqjen më 2002 pasi autoritetet holandeze kritikuan ashpër dërgimin e trupave në zonën e rrezikut pa armë dhe autoritet të duhur për të mbrojtur rreth 30.000 refugjatë që u larguan në një bazë holandeze në Bosnjën Lindore.
Më 2019, Gjykata e Lartë e Holandës vendosi që Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për vdekjet e rreth 350 myslimanëve që u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.
Në anën tjetër, Kombet e Bashkuara janë kritikuar që nuk miratuan sulmet ajrore për të mbështetur trupat holandeze në terren.