Holanda filloi transportimin e pacientëve me COVID-19 përtej kufirit në Gjermani të martën për të lehtësuar fluksin ndaj spitaleve.
Një pacient u transferua me ambulancë nga Roterdami në një spital në Bochum, të martën në mëngjes dhe një tjetër do të transferohej më vonë gjatë ditës, thanë autoritetet shëndetësore.
Holanda është në alarm, për shkak të zhytjes në krizë të reparteve të terapisë intensive. Dyndjet e të sëmurëve me COVID-19 kanë ezauruar të gjithë shtretërit në këto reparte. Kjo situatë ka bërë që të rritet numri i të vdekurve, pavarësisht se mbi 70% e të popullsisë është plotësisht e vaksinuar.
Drejt ezaurimit kapacitetet në terapinë intensive edhe në Gjermani, ku këtë të mërkurë u shënua një rekord i ri negativ infektimesh me gati 67 mijë raste, mbi 1 mijë më shumë se rekordi i 18 nëntorit. Edhe numri i viktimave po rritet.