Holanda refuzoi të hënën një kërkesë italiane për të marrë 47 emigrantë nga një anije humanitare që është e bllokuar në një port në Itali, duke thënë se kishte nevojë për të dalluar refugjatët e vërtetë dhe emigrantët ekonomikë.
Sea Watch 3, i drejtuar nga një grup humanitar gjerman dhe duke lundruar me një flamur holandez, i shpëtoi emigrantët nga një gomone jashtë bregut libian më shumë se një javë më parë. Që atëherë ajo është goditur nga erërat e forta dhe valët 7 metra të larta.
Zëvendëskryeministri i Italisë, Luigi Di Maio, kreu i Lëvizjes “5-yjet”, tha se anija duhet të shkojë ose në Francë, të cilën ai e ka akuzuar për shmangjen e përgjegjësive të saj ndaj fluksit të emigrantëve, ose në Holandë.
Ministria Holandeze e Drejtësisë dhe e Sigurisë, e cila mbikëqyr politikën e imigracionit, tha se nuk do të merrte asnjë emigrant nga Sea Watch, deri sa të kishte një marrëveshje afatgjatë se si të dalloheshin refugjatët nga emigrantët ekonomikë.
“Ata që nuk kanë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare, duhet të kthehen menjëherë pas mbërritjes në kufijtë evropianë”, tha ajo në një deklaratë.
“Pa një perspektivë të qartë për një zgjidhje të tillë strukturore, Holanda nuk do të marrë pjesë në masa ad hoc për zbarkimin e emigrantëve”, shtoi ministria holandeze.
Zyra e kryeministrit italian Giuseppe Conte tha në një deklaratë se Roma do ta referonte çështjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke përsëritur se qeveria nuk kishte ndërmend të lejonte anijen të dilte në Itali.