Holanda shënon rekord të rasteve ditore me Covid-19 për të dytën ditë me radhë

Prishtinë | 22 Tet 2020 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike në Holandë njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara në këtë shtet janë regjistruar mbi 9.000 raste të reja të koronavirusit.

Kjo është shifra më e lartë e rasteve ditore në vendin e Evropës Perëndimore që nga fillimi i pandemisë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.


Numri i rasteve të reja në njërën ndër vatrat më të mëdha të koronavirusit në Evropë po vazhdon të rritet, gati një javë pasi qeveria vendosi masa të izolimit të pjesshëm, përfshirë mbylljen e bareve dhe restoranteve.

Gjatë valës së parë të pandemisë, Holanda nuk ishte në mesin e vendeve më të prekura dhe kishte shumë më pak viktima të pandemisë se Belgjika fqinje.

Megjithatë, javëve të fundit, as Holanda nuk i ka shpëtuar dukurisë së shtimit të rasteve në mbarë Evropën. Kjo gjendje i ka detyruar qeveritë që t’i rikthejnë në fuqi disa masa kufizuese.

Disa shtete, përfshirë Gjermaninë, Kroacinë, Slloveninë, Bosnjën, Ukrainën dhe Holandën, shënuan rekord të numrit të rasteve ditore me Covid-19 të enjten.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme