Në Prishtinë u mbajt konferenca për shtyp ku u diskutua për shpërblimin e filmit “Home” me çmimin prestigjioz “BAFTA” në kategorinë e filmave të shkurtë.
Filmi “Home” është i pari produksion kosovar i cili shpërblehet me “BAFTA”, ndërsa filmi pati një sukses të madh nëpër botë pas publikimit në kinematë e Britanisë së Madhe, përfshirë triumfin në mbi 15 shpërblime në festivale botërore dhe nominimin në Akademinë Evropiane të Filmit.
Në konferencë ishin të pranishëm një pjesë e ekipit të filmit nga Kosova, përfshirë producentin Shpat Deda dhe regjisorin Daniel Mulloy si dhe përfaqësues nga Forcat e Sigurimit të Kosovës dhe policisë së Kosovës.
Producenti Shpat Deda prezantoi ekipën që qëndroi prapa produksionit të filmit dhe duke i falënderuar ata. “Suksesi vjen në formën e tij më të bukur kur ndahet me njerëz të tjerë, dhe në këtë rast ka aq shumë njerëz me të cilët po e ndajmë. Ky është bekim i vërtetë! HOME e ka bashkuar grupin më të talentuar të njerëzve të rinj me të cilët e kam pasur kënaqësinë të punoj, dhe shërben si një provë shtesë mbi potencialin i cili ekziston në Kosovë. Ne duhet të ndërtojmë më shumë ura në mënyrë që talenti Kosovar ta gjejë rrugën në qendrën e vëmendjes botërore sepse tanimë kemi mjaft suksese që na e dëshmojnë se kjo është e mundshme”, tha Deda.
Regjisori i filmit, Daniel Mulloy, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Kosovën për realizimin e këtij projekti. “Kosova është vend i jashtëzakonshëm për të bërë filma. Njerëzit e ri kanë shumë talent dhe pasion dhe çdo gjë është e mundur këtu. Mbështetja nga Kosova e bëri këtë film dhe ishte jashtëzakonisht e fortë. Ne kemi bashkëpunuar me shumë institucione përfshirë me policinë dhe me Forcat e Sigurimit të Kosovës, të cilët i kanë sjellë shumë filmit përmes eksperiencës dhe pasionit të tyre. Filmi ynë synon të sjellë ndjeshmëri ndaj krizës aktuale të refugjatëve dhe populli i Kosovës dha aq shumë për të mbështetur këtë mesazh. Ka aq shumë mëshirë, bashkëndjesi dhe talent këtu në Kosovë sa që tanshmë është vulosur në secilin kuadër të filmit tonë. Mbështetja që populli i Kosovës na ka dhënë, nga Prishtina në Prizren, është forca më e madhe e filmit tonë. Janë përpjekjet e secilit nga këta individë që kanë mbledhur dhe krijuar këtë sukses. Kjo do të thotë se mesazhi i bashkëndjesisë së filmit dhe të kuptuarit ndaj refugjatëve dhe agonisë prej të cilës ata po ikin do të rezonojnë edhe më tej me publikun përreth botës.’, tha Mulloy.
Në konferencë ishin të pranishëm një pjesë e ekipës së ‘Home’ nga Kosova, të cilët ndanë me të pranishmit përvojat e tyre personale të realizimit të projektit.
“Ka qenë një përjetim transformues procesi i të sjellurit në jetë këtë film, bashkë me një ekipë e cila ka punuar përtej limiteve për të mbështetur një kauzë e cila është ende e afërt në zemrat dhe shtëpitë tona. Mulloy është i shkëlqyer me mënyren si depërton në shpirtat e njerëzve duke krijuar një film si HOME. Çmimi BAFTA është një testament i potencialit të Kosovës për të siguruar një terren ku filma të mëdhenj mund të krijohen.”, tha menaxherja e produksionit Renea Behluli.
Dizajnerja e produksionit, Mrina Godanca, theksoi vullnetin e njerëzve për të ndihmuar filmin. “Per mua, sado sfiduese që ka qenë ky projekt, ajo që e ka mbajtë në këmbë këtë proces kompleks ka qenë mirëkuptimi, dhembshuria dhe të qenurit i hapur, e kjo vlen për të gjithë të involvuarit. Nuk e di pse por ka momente kur prap befasohem nga vullneti e njerëzve për të ndihmuar njëri-tjetrin. Krejt çka duhet të bësh është ta kërkosh atë. Është mahnitëse. Ne kemi biseduar dhe punuar me persona tërësisht të panjohur për ne dhe ata menjëherë kanë pranuar të jenë pjesë e diçkaje më e madhe se ata. E kjo sidomos kur ata e kuptonin mesazhin e filmit. Ne duhet t’ia rikujtojme vetes se gjëra të mëdha mund të arrihet edhe në Kosovë nëse punojmë me pasion dhe zell. Për mua, kjo ka qenë një eksperiecë jetësore.”, tha Godanca.
Elmedinë Morina, Drejtoresha Artistike në Kosovë, ndau përvojën e saj të punës në këtë film.
“Bashkëpunimi i mirë mes njëri-tjetrit brenda ekipit ka ardhë si rezultat i besimit të ndërsjellë si reflektim i drejtpërdrejtë i besimit të Danielit në secilin prej nesh qysh prej fillimit të përfshirjes tonë në projekt”, tha Morina.
Nita Deda, drejtoreshë e DokuFest dhe Line Producer në filmin ‘Home’, foli për përvojën e saj dhe rënësinë e çmimit: “Pjesa më e bukur e përvojës sime në këtë film ka qenë entuziazmi dhe përkushtimi që e kemi nda si ekipë, ku gjatë tre ditëve aspak të lehta të xhirimit ka ardhë në pah puna dhe planifikimi paraprak që e kemi bërë me muaj të tërë. Fakti që ekipa jonë ka qenë në të njejtin nivel profesional me ekipën shumë të eksperiencuar nga Anglia tregon potencialin profesional të rinisë së Kosovës kur fuqizohemi dhe kur besohet në talentin tonë. Si bashkëproducentë të filmit, ne në DokuFest jemi tepër krenarë që kemi qenë pjesë e familjës që e ka jetësu këtë projekt”, tha Deda.
“Home” është bashkë-produksion i DokuFest, Somesuch dhe Black Sheep Studios me aktorët Jack O’Connell dhe Holliday Grainger në rolet kryesore. Filmi 20 minutësh është xhiruar në Kosovë dhe Britani të Madhe dhe e thekson gjendjen e refugjatëve dhe dhunës me të cilën përballen qindra mijëra njerëz në të gjithë botën.