Sonte në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit Tirana International Film Festival (TIFF), propozimi i Kosovës për Oscars, filmi “Home Sweet Home” me skenar nga Zymber Kelmendi, regji nga Faton Bajraktari dhe producent Trim Musliu triumfoi me dy çmime: Skenari më i mirë dhe çmimi i kritikës FIPRESCI.
Ky film dje (e enjte, 10.11.2016) është shfaqur edhe në festivalin e madh në Gjermani – Film Festival Cottbus dhe nesër (e shtune, 12.11.2016) pritet të shfaqet në Thessaloniki Film Festival në Greqi; ndërsa këtë muaj do të shfaqet edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Indisë IFFI.
“Home Sweet Home’ flet për Kosovën e pasluftës dhe për historinë e Agronit i cili për disa vite ka qenë i zhdukur dhe pasi kthehet në shtëpi, ai përballet me rrethin, të cilët e kanë keqpërdorur, emrin e tij për përfitime personale. Shumë projekte në fshat janë bërë në emrin e “rënies heroike” të tij. Familja e tij merr një ndihmë financiare si familje e dëshmorit dhe ato të ardhura i ka futur në kredi. Tashmë Agroni i ka dy rrugë: Të dal hapur në publik apo të pres përfundimin e projekteve. Kalon një muaj dhe Agroni është brenda. Në oborrin e shkollës që mban emrin e tij, zbulohet shtatorja e tij. Ai tashmë ka marrë një vendim.
“Home Sweet Home” është prodhim i shtëpisë filmike Cineproduction me producent Trim Musliun dhe bashkëproducent Senad Abdulin. Filmi është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Agjencia e Filmit në Maqedoni.