Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pranuar mesazhe urimi nga homologët e tij të vendeve të rajonit, Mali i Zi, Kroacia, dhe Maqedonia, me rastin e përvjetorit të nëntë të pavarësisë së Kosovës.
Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanović në letrën drejtuar ministrit Hoxhaj ka thënë se Mali i Zi është i përkushtuar të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën dhe t’i zgjerojë ato në interes të të dy vendeve.
Ai ka shtuar se rruga drejt integrimeve Euro-Atlantike është një e përbashkët e rëndësishme në marrëdhëniet Kosovë – Mal i Zi, dhe është zotuar se Kosova mund ta llogarisë Malin e Zi si partner afatgjatë në këto procese.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm kroat, Davor Ivo Stier në mesazhin e tij të urimit për pavarësinë e Kosovës ka thënë se e çmon shumë nivelin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Kroacisë, ndërsa ka thënë se pret që këto marrëdhënie të vazhdojnë të thellohen në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe bashkëpunimit.
Stier është zotuar se Kroacia do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian, në funksion të kontribuimit në stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës Juglindore.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki në letrën drejtuar Hoxhajt ka shprehur dëshirat për prosperitet të Kosovës dhe qytetarëve të saj në vitet në vijim, si dhe ka shprehur interesim për intensifikim të marrëdhënieve në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, në mes të Kosovë dhe Maqedonisë