Takimi i nivelit të lartë i zhvilluar të enjten në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, ku nuk u arrit asnjë marrëveshje tregoi edhe një herë “paaftësinë” e BE-së që t’i përafrojë dallimet mes 2 liderëve, shkruan InLajmi.
Vazhdimisht është kërkuar që Shtetet e Bashkuar të Amerikës të jenë ato që i “kurorëzojnë” me njohje reciproke negociatat 11 vjeçare mes Kosovës dhe Serbisë.
Se SHBA-të kanë rol kyç në zgjidhje përfundimtare në dialogun Kosovë-Serbi e thotë për Gazetën InLajmi njohësi i politikës, Afrim Hoti.
Sipas tij takimi i së enjtes ka vënë në pah kapacitetin e pamjaftueshëm të BE-së pet t’i dhënë fund epilogut prandaj edhe kyçja direkte e SHBA-së në këtë proces është e padiskutueshme.
“Karakteristika e takimit të së enjtes ka qenë një lloj qetësie apo rezervë e shpërfaqur nga të 3-ja palët, 2 palët kundërshtare dhe zoti Borell. Ajo që edhe të enjten u vë në pah është saktësisht fakti që ka qenë i njohur edhe më parë, BE nuk e ka forcën dhe kapacitetin e mjaftueshëm për ti dhënë epilog kësaj problematike kaq të madhe. Personalisht jam skeptik që mundet të shkoj tek marrëveshja përfundimtare për normalizim të raporteve pa një involvim direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në radhë të parë për të arritur marrëveshjen dhe përtej kësaj edhe për të garantuar zbatimin e saj”, tha Afrim Hoti për InLajmin.
Përveç se e ka folur për takimin e së enjtes në Bruksel Kurti-Vuçiq Hoti e ka komentuar edhe takimin e 2 liderëve me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për çka tha se ata e kanë kuptuar qartë se dialogu është e vetmja alternativë dhe skenarët sikur se në fund të korrikut janë të paqëndrueshme.
Pavarësisht se të enjten nuk është arritur ndonjë marrëveshje sa i përket reciprocitetit, profesori Hoti beson se do të zbatohet në parim pasi Kosova ka mbështetje ndërkombëtare dhe Serbia do të kuptojë se nuk mund të dal kundër NATO-s.
“Unë mendoj që takimet do të vazhdojnë, jam skeptik që arrihet marrëveshja, por parimi i reciprocitetit do të zbatohet për faktin që për të njëjtin ka një mbështetje të konsensusit ndërkombëtar. Ajo që u pa si skenar i zotit Vuçiq të enjten është informimi i serbëve për këtë çështje dhe për këtë fenomen dhe se në të njëjtën kohë Serbia do të paraqet vetën si viktimë. Serbia duhet ta kuptojë që nuk mund të luftojë me NATO-n, edhe pse ata nuk i njohin dokumentet dhe targat e Kosovës, unë mendoj që ata do të fillojnë t’i njohin parimet e reciprocitetit”, shtoi Hoti për InLajmin.
Ndër tjera Hoti për InLajmin ka theksuar se nëse arrihet marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi me njohje reciproke, të gjitha temat tjera të diskutueshme deri më tani do të zgjidhen.
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti beson se Kosova dhe Serbia do të arrijnë ta njohin njëra-tjetrën vetëm me SHBA-të në krye te dialogut. Mirëpo ai shprehet skeptik në guximin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që do ta marr një barrë kaq të madhe mbi vete pa mbështetjen e spektrit politik të vendit.
“Varet shumë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe nga gatishmëria e lidershipit të Kosovës, ajo që shihet në sfond dhe në horizont është një lloj pasigurie dhe një lloj mungese e aftësisë dhe guximit të Kryeministrit Kurti që të marr mbi vete një barrë kaq të madhe edhe pse nuk është vetëm çështje e zotit Kurti, për të njëjtën duhet të ketë konsensus të brendshëm përmes Kuvendit dhe pastaj mbi bazën e këtij bashkëpunimi të merret një vendim”, përfundoi Hoti për Gazetën InLajmi.
Të enjten në Bruksel është mbajtur takim Kurti-Vuçiq me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak ku nuk është arritur ndonjë marrëveshje, por Borell ka theksuar se në vazhdën e takimeve do të arrihet një marrëveshje për të 2-ja palët.