Ministri i Financave Avdullah Hoti në ceremoninë e vënies në qarkullim të autobusëve të rinj në kryeqytet tha se sot po e konkretizojmë këtë projekt të rëndësishëm kryeqytetasit
“Ky është ndër projektet më të rëndësishme që e ka mbështetur Qeveria për Komunën e Prishtinës. Do të vazhdojmë edhe me projekte tjera, me stadiumin olimpik, ndërtimin e fabrikës për trajtimin e ujërave të zeza dhe projekte tjera. Besoj që këto projekte që po i bëjmë tregojnë për mbështetjen që po ia bëjmë kryeqytetit si qeveri, e cila gjë nuk është që ka ekzistuar edhe më herët”
Ministri Hoti tha se ky projekt do të replikohet edhe në 4 apo 5 qendra, sepse kemi gatishmërinë e BERZH-it për të investuar dhe ne do t’i identifikojmë cilat qendra kanë nevojë.
Ministri Hoti tha se Marrëveshja për Garanci Shtetërore, e cila është kërkuar nga ndërmarrja publike lokale “Trafiku Urban” për projektin e blerjes së autobusëve të rinj, është negociuar nga ekipi i kryesuar nga Ministria e Financave dhe ka pas si qëllim garantimin e kredisë që Trafiku Urban planifikonte të merrte për financimin e blerjes së 51 autobusëve.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit Mustafa i siguroj qytetarët e Prishtinës, që kryeqyteti për projekte të tilla si trafiku urban do ta këtë vëmendjen dhe përkrahjen e institucioneve qendrore të shtetit, përkrahje kjo që jo gjithherë ka ekzistuar” tha Ministri Hoti.
Ndryshe kredia ka vlerë totale prej 10 milionë euro. Kredia karakterizohet me maturitet afatgjatë prej 12 viteve, ku 2 vite janë grejs periudhë, ndërsa 10 vite tjera amortizim i kredisë. Kostoja vjetore apo interesi është 1% + Euribor 6-mujor, gjë që e bën këtë kredi mjaft të volitshme.