Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se çështja e të pagjeturve do të jetë thelbësore në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Hoti ka thënë se pa çështjen e të pagjeturve, s’mund të ecet përpara në dialog.
“Çështjet e personave të pagjetur me të drejtë na shqetëson të gjithëve. Po bëjmë përpjekje maksimale që të bëjmë progres… Dialogu me palën serbe i ndërmjetësuar nga BE jo rastësisht ka filluar me temën e të pagjeturve…. Synimi ynë themelor është gjetja dhe riatdhesimi i trupave të pagjeturve.. Do të jetë çështja kryesore pa të cilën nuk mund të ecet përpara”, tha Hoti.
Deklarata e Hotit ishte përgjigje për pyetjen e deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli e cila pyeti nëse Qeveria do ta kushtëzojë vazhdimin e dialogut me hapjen e hetimeve nga ana e Serbisë për të pagjeturit.
“Z. Hoti ju nuk u përgjigjët. A do ta vazhdoni dialogun me Serbinë, apo do ta kushtëzoni deri kur shteti serb t’i hapë hetimet?”, pyeti sërish Pacolli.
Ndërsa Hoti tha se përgjigje e tij janë edhe veprimet që po i ndërmerr Qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje.
“Mendoj që përgjigjet po i japim të qarta me veprimet që po i bëjmë. Në marrëveshjen e Washingtonit është përfshi edhe çështja e të pagjeturve. Në Bruksel çështja kryesore që është diskutu janë të pagjeturit”, tha Hoti.