Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve ka bërë homazhe dhe ka vendosur kurora lulesh te Obelisku i personave të pagjetur, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, Hoti ka kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve, teksa ka thënë edhe 20 vjet pas luftës nuk mund të jemi të qetë pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Unë së bashku me kabinetin qeveritar dolëm të bëjmë nderime e zakonshme. Kjo për ne është plagë e hapur akoma dhe është tema më e ndjeshme edhe pas 20 vjetësh. Nuk është e tepërt ta them se kjo është tema kryesore në çfarëdo marrëveshje që arrihet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Nuk mund të jem i qetë derisa familjet e të pagjeturve të din ku i kanë të dashurit e tyre”, tha Hoti.
Shefi i ekzekutivit foli edhe për takimin e katër shtatorit që do mbahet në Ëashington, ku tha se atje si koalicion shkojnë të bashkuar.
“Si koalicion jemi plotësisht unik dhe ju e dini se kam kërkuar edhe nga opozita që të jenë pjesë e këtyre zhvillimeve, por unë jam duke u angazhuar për të përfaqësuar shtetin e Kosovës në këto bisedime”, tha Hoti.
Vendosje të luleve në kujtim të të zhdukurve kanë bërë edhe organizata “Zëri i Prindërve”, nga Mitrovica.
Qerkini me akuza në drejtim të Qeverisë: Po na maltretojnë
Bajram Qerkini, udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë, për të cilët thotë se familjarët do duhej ta presin kryeministrin një orë. E këtë e ka quajtur maltretim.
“Na thanë që të presim kryeministrin një orë, e pritëm një orë dhe nuk e obligoj askënd që të pres. I kemi vendosur lulet tona dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur kështu. Ky është maltretim jashtëzakonisht i madh dhe jo bashkëpunim ashtu siç duhet. Derdhen me miliona lot, edhe ne i kemi mbi 4000 të pagjetur dhe ka qenë mirë që së paku të jemi 200 persona dhe së paku nga çdo komunë do duhej të vinin nga 20 persona”, u shpreh Qerkini.