Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i është përgjigjur ‘ftesës’ së presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili tha sot se është i gatshëm t’ia lë Hotit udhëheqjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se qytetarët e Kosovës përmes zgjedhjeve të lira do të vendosin se kush do ta udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi.
Ai po ashtu tha se presidenti Thaçi, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk ka mandat të udhëheqë këtë dialog.
Lexoni të plotë postimin Avdullah Hotit:
“Qytetarët e Kosovës, përmes zgjedhjeve të lira, do të vendosin se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë. Një gjë është e qartë që tani se ai person nuk do të jetë z.Thaçi, pasi ai në bazë të Kushtetutës së Kosovës nuk ka mandat të vendos për këto çështje.
E ftoj z.Thaçi të qëndrojë brenda kompetencave që ja jep Kushtetuta e Kosovës. Deklarimet e tij janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Në vend që të jetë garant i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, ai është duke e cenuar çdo ditë atë dhe për këtë duhet të flasë Gjykata Kushtetuese.
Dëmet që z.Thaçi me deklarimet e tij antikushtetuese është duke ia bërë shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare janë të mëdha. Ai e ka nxjerrë jashtë funksionit krejt diplomacinë e Kosovës, si dhe diplomacinë e vendeve mike, duke stopuar plotësisht njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
Qytetarët e Kosovës e kanë vendosur fatin e Kosovës si shtet i pavarur, i integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA. Këtë nuk mund ta zhbëjë askush.