Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini.
Kryeministri Hoti dhe Ajdini biseduan për gjendjen e punëtorëve në vend dhe u dakorduan që sa më parë të finalizohet Kontrata Kolektive Nacionale.
Drafti i kësaj kontrate është diskutuar në Këshillin Ekonomik Fiskal, mekanizëm, përmes së cilit promovohet dialogu social në vend, por mbetet të diskutohen edhe modalitetet e tjera, që ndërlidhen me kohën e fillimit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, për shkak të kostos buxhetore dhe situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.
Kryeministri Hoti e inkurajoi kryetarin e BSPK-së, Ajdini që të vazhdojë angazhimin për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve, sigurinë dhe shëndetin në punë, në përputhje me ligjet në fuqi.