Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti së bashku me deputetin Armend Zemaj, kanë udhëtuar sot në Vjenë të Austrisë. Ata sot gjatë ditës, në takime të ndara kanë takuar deputetët e Parlamentit Austriak Lukas Mandl- deputet nga radhët e PE dhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austriake- Kosovare, Carmen Jeitler – Cincelli – Kryetare e Grupit të Miqësisë Austri – Kosovë si dhe Alexander Marschik- Drejtor Politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë.
Duke i falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e ofruar nga shtetit austriak në proceset e ndryshme nëpër të cilat po kalon Kosova, deputetët e LDK- së, Hoti dhe Zemaj i njoftuan ata me situatën aktuale politike në vend me theks të veçantë lidhur me temën e Dialogut Kosovë – Serbi.
Hoti i njoftoj ata në detaje lidhur me qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për dialogun duke nënvizuar se për këtë proces nevojitet përgatitje e mirë, gjithë përfshirje si dhe përfaqësim me legjitimitet politik e kushtetues.
Në këto takime gjithashtu u bisedua edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me që rast Hoti dhe Zemaj kërkuan nga ana e përfaqësuesve austriak mbështetje të mëtejme dhe thellim të bashkëpunimit sa i përket proceseve integruese.