Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar t’i përkrahë komunat e vendit për realizimin e projekteve të tyre zhvillimore, ka thënë kryeministri Avdullah Hoti gjatë një takimi që pati sot me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Duke e vlerësuar edhe një herë rëndësinë e rrugës që lidh Deçanin me Plavën, përkatësisht Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi, kryeministri Hoti ritheksoi se duhet të respektohet legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por, po ashtu, duhet të kihet parasysh edhe rëndësia e kësaj rruge për ekonominë dhe cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit dhe më gjer.
Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të dakorduar me të gjitha palët e përfshira në këtë çështje, kryeministri Hoti dhe kryetari Ramosaj u pajtuan që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit.