Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se do të shpërfillin vendimet e Qeverisë Haradinaj, të periudhës pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti i quajti joligjore emërimet e udhëheqësve të institucioneve publike, duke veçuar Universitetin e Ferizajit.
Ai shtoi se me ardhjen në qeveri të LDK-së këto vendime do të anulohen.
“Emërimet e udhëheqësve të institucioneve publike (universiteteve, ndërmarrjeve publike, agjencive etj.) gjatë kësaj periudhe, kur qeveria është vetëm ‘kujdestare’ derisa të zgjedhet qeveria e re, janë jo ligjore dhe nuk do të përfillet nga qeveria e ardhshme e udhëhequr nga LDK-ja. Çdo vendim i tillë, siç ka ndodhur sot në Universitetin e Ferizajit, do të anulohet” ka shkruar Hoti.
Ndryshe një ditë më parë Shyqyri Bytyqi, ministër në detyrë i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka emëruar tre anëtarë në bordin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara (USHAF) në Ferizaj.