Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti i ka quajtura të vonuara deklaratat e shefit të PDK-së, Kadri Veseli që sot është shprehur kundër ideve për ndarje ose shkëmbim territoresh me Serbinë.
Përmes një statusi në Facebook, Hoti e ka bërë Veselin bashkëfajtor të Thaçit që sipas tij, ka dëmtuar Kosovën me veprimet e tij jokushtetuese.
“Konsolidimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është dëmtuar shumë nga veprimet jo kushtetuese të Presidentit Thaçi për shkëmbim territoresh me Serbinë. Njohjet e reja dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është stopuar plotësisht. Praktikisht, ministri i jashtëm i Kosovës rrin kot në zyren e tij”, ka shkruar Hoti.
“Deklarimet e sotme të kryetarit të PDK-së janë të vonuara. Ai është bashkëfajtor në këtë dëm që i është bërë shtetit të Kosovës, pasi asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për këto veprime kundër shtetit të Kosovës nga Presidenti Thaçi”, ka shkruar ai.