Përmes një reagimi për media, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se i vlerëson të papranueshme sjelljet dhe gjuhën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë interpelancës lidhur me çështjen e të pagjeturve.
Në mes të debatit për çështjen e të pagjeturve, pati përplasje të ashpër mes deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kryeministrit Hoti thekson se sjelljet e tilla janë jashtë çdo standardi të komunikimit politik, e sidomos sot kur temë e debatit ishte fati i të pagjeturve, çështje kjo shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë, e cila po trajtohet me shumë përkushtim nga Institucionet e Kosovës”, thuhet në njoftim të Qeverisë.
Hoti më tej ka thënë se pos interpelancës për këtë çështje ka pasur para disa ditësh takim me deputetë të të gjitha partive, anëtarë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, “ku i ka njoftuar në hollësi për angazhimet e të gjitha institucioneve relevante që trajtojnë fatin e të pagjeturve”.
“Kryeministri Hoti rithekson se, angazhimi për ndriçimin e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në vendin tonë, nuk ka munguar nga asnjëra Qeveri deri më sot, e sidomos tani kur është shtuar mbështetja dhe trysnia nga bashkësia ndërkombëtare që kjo çështje të përmbyllet sa më parë”, thuhet në fund të komunikatës.