Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka ngritur shqetësime për gjendjen ekonomike në vend, duke thënë se rritja e inflacionit, çmimet e derivateve dhe mungesa e investimeve kapitale po ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
Në një reagim publik, Hoti theksoi se inflacioni vazhdon të rritet dhe po i zvogëlon të ardhurat e familjeve.
“Inflacioni po i gërryen të ardhurat e familjeve. Edhe në muajin e fundit është rritur”, ka shkruar ai.
Sipas tij, edhe çmimet e derivateve janë rritur dukshëm dhe nuk pritet të ketë ulje në periudhën e afërt.
“Çmimet e derivateve janë rritur dukshëm dhe nuk pritet të ulen së shpejti”, theksoi Hoti, duke shtuar se edhe tarifat e energjisë mund të rriten sërish.
Ai kritikoi edhe mungesën e investimeve kapitale nga shteti, duke thënë se kjo po i kushton ekonomisë qindra miliona euro.
“Ekonomisë i mungojnë qindra miliona euro, ngase shpenzimet kapitale nga ana e shtetit mungojnë. Kjo pasi projektet madhore infrastrukturore, ku shpenzohen shuma të mëdha me ndikim zinxhiror në ekonomi, kanë ngecur ose nuk kanë nisur fare”, u shpreh ai.
Hoti foli edhe për mungesën e mbikëqyrjes parlamentare, duke theksuar se që nga dhjetori i vitit 2024 nuk ka pasur kontroll të Kuvendit mbi qeverinë dhe institucionet që raportojnë para tij.
“Nga muaji dhjetor 2024, kur ka mbaruar mandati i legjislaturës 2021–2025, nuk ka mbikëqyrje parlamentare të qeverisë dhe institucioneve të tjera që i japin llogari Kuvendit. As raportet e auditorit për buxhetin e vitit 2024 nuk janë shqyrtuar ende”, deklaroi ai.
Tutje, ai theksoi se është rritur edhe kreditimi i familjeve dhe i bujqve me shuma të vogla dhe me norma të larta interesi.
“Kreditimi i familjeve, si dhe i bujqve, me shuma relativisht të vogla dhe norma të larta interesi është rritur, që është shenjë e mungesës së të ardhurave për shpenzime të zakonshme dhe të përditshme”, tha Hoti.
Ai shtoi gjithashtu se mungesa e politikave fiskale dhe industriale po bën që importet të vazhdojnë të rriten.
“Në mungesë të politikave fiskale dhe industriale, importet vazhdojnë të rriten pa asnjë orientim se si të zëvendësohen, së paku të mallrave elementare”, ka shkruar ai.
Hoti ngriti shqetësim edhe për nivelin e emigrimit nga Kosova, duke thënë se vendi prin në rajon për nga përqindja e qytetarëve që kërkojnë lejeqëndrim në Bashkimin Evropian.
“Kosova prin, krahas Shqipërisë, me përqindjen e popullsisë që emigron. Statistikat zyrtare tregojnë se 210,442 persona, apo 13% e popullsisë së Kosovës, kanë kërkuar lejeqëndrim në BE gjatë viteve 2020–2024. Kjo përqindje është dyfish më e lartë se ajo e vendeve të tjera në rajon”, shtoi Hoti.