Projektbuxheti i vitit 2017 është bërë sebep për tensionimin e raporteve në mes të partive më të mëdha në pushtet, Partisë Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK). Destinimi i buxhetit në shpenzimet kapitale, mënyra e proklamuar nga ana e Qeverisë së Kosovës për buxhet prej dy miliardë eurosh, kanë bërë që partnerët e koalicionit të kenë dyshime te njëri-tjetri dhe mos të arrijnë ta harmonizojnë atë.
Pos partnerëve të koalicionit, e zëshme në këtë drejtim është shprehur edhe opozita, madje përfaqësuesit e opozitës këtë projektbuxhet e kanë cilësuar si elektoral dhe jo në shërbim të rritjes ekonomike dhe mirëqenies sociale.
Edhe njohësit e çështjeve ekonomike kanë thënë se ky buxhet është në harmonizim me direktivat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe është në shërbim të mirëqenies së qytetarëve.
Po ashtu, vërejtje për këtë projektbuxhet ka dhënë edhe anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga Nisma për Kosovën, Enver Hoti. Ai ka thënë se ky projektbuxhet lë për të kuptuar se Qeveria nuk është e interesuar për mirëqenien e qytetarëve dhe punësim, por vetëm për investime kapitale. Sipas tij, tani nuk është koha për to, pasi me investimet kapitale nuk përfitohet kthim i shpejtë i mjeteve materiale.
“Nga ky buxhet mbi 60 % do të shkojnë për investime kapitale. Kjo të bën të kuptosh se kjo Qeveri nuk ka projekte zhvillimore për mirëqenien e vendit. Pjesa tjetër është nga huat dhe kjo mendoj se do ta fusë vendin në kolaps në aspektin financiar për arsyen e thjeshtë, se investimet nga huamarrja nuk do ta rrisin mirëqenien, por janë investime kapitale që janë të pakthyeshme në afat të shkurtër”, ka thënë Hoti (EpokaeRe)