Hoti: Kosova e ka kuptuar se oponentët tanë janë komunistë të orientuar kah lindja

Prishtinë | 10 Shk 2021 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të mërkurën, në tubimin elektoral në Kamenicë, se Kosova tashmë e ka kuptuar se oponentë politikë të LDK-së, janë komunistë të orientuar kah Lindja.

“Këta që i kemi përballë, janë njerëz që 30 vite kanë qenë pengesë në procesin e shtet-ndërtimit. Por si LDK s’jemi lodh kemi vazhduar rrugëtimin tonë. Jemi lënduar gjatë procesit por s’jemi ndalë e nuk do të ndalemi asnjëherë. Por tash është mjaft, qytetarët e Kosovës ma në fund pas 15 vitesh që ata organizuan protesta, përgjakën policët nëpër rrugë, tash na u shfaqën me shamia të kuqe, që janë simbolikë e revolucioneve komuniste që shumica e botës ua ka pa sherrin. Pra në fund këta e nxorën kokën ashtu siç janë, komunistë me orientim kah lindja”, tha Hoti.

Kandidati i LDK-së, u shpreh i bindur se do të fitojnë të dielën, pasi sipas tij, njerëzit e arsyeshëm janë më shumë në Kosovës se ata që janë mashtruar nga propaganda e këtyre viteve.

“Në Kosovë, ka më shumë njerëz që e duan demokracinë që janë të orientuar kah perëndimi dhe për këtë arsye, LDK-ja ka me fitu të dielën. Fitorja jonë do të jetë fitore për të gjithë, edhe për këta të kuqtë sepse do t’i integrojmë dhe do t’i bindim se e kanë gabim këtë mënyrë të sjelljes dhe veprimit në Kosovën e vitit 2021”, tha Hoti.

Ai theksoi se vetëm LDK në këto zgjedhje ka ofruar program të qartë për zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës.

Gjatë këtij tubimi, Hoti, ka përmendur të arriturat gjatë qeverisjes disa mujore, duke e përmendur, aksionin e Karaçevës.

“Dy kryeministrat paraprak e dinin se çka po ndodhte në Karaçeve, por nuk patën guxim për të vepruar, kishin dilema se a është pjesë e territorit të Kosovës. Kryeministri i fundit madje refuzoi një operacion të përgatitur deri në detaje. Erdhëm ne dhe vepruam, shembem ato kazino dhe eliminuam dukuritë tjera negative. Kjo është shenjë se ne punojmë e nuk shpërndajmë parulla me megafon rrugëve siç po bëjnë të kuqtë”, tha Hoti, duke shtuar se me qeverisjen e LDK-së, rajonin e Kamenicës do të përfitoj investime në funksion të zhvillimit të turizmit malor dhe blegtorisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme