Hoti: Kosova ka bërë reforma fiskale për investitorët e huaj

Prishtinë | 13 Tet 2016 | 16:35 | Nga

Ministri i Financave Avdullah Hoti priti sot në takim kryetarin e Unionit të Bizneseve të Diasporës në Berlin, Mustafë Abazi, i cili ishte i shoqëruar nga përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Berlinit, përfaqësuesit e bizneseve gjermane, si dhe përfaqësuesi i gazetës ditore “Derivate-Magazin”, me të cilët diskutoi për kushtet të cilat i ka krijuar Qeveria e Kosovës dhe për mundësitë e investimeve të diasporës në Kosovë.

Ai me këtë rast tha se Kosova për çdo vit po konsolidohet me reforma legjislative sa i përket krijimit të kushteve për të investuar në Kosovë, dhe për këtë vlen të përmenden reformat fiskale, si dhe Ligji për investime strategjike në Kosovë.

Ministri Hoti gjithashtu tha se diaspora luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit, kjo vërehet edhe tek shifrat milionëshe të remitencave.

“Mirëpo, sipas të dhënave që aktualisht ne kemi shumica e këtyre mjeteve shkojnë në konsum ose patundshmëri. Prandaj, ndoshta këto mjete por edhe të tjera të cilat posedojnë bizneset në Gjermani do të kishte qenë mirë që të orientohen në të bërit biznes  si forma më e mirë për zhvillimin e Kosovës dhe në hapjen e vendeve të reja të punës në Kosovë”, tha Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se një mundësi për diasporën është edhe investimi në Bonot e Thesarit, si një mundësi e mirë për zhvillim, ku interesi që paguhet mbetet në duart e bashkatdhetarëve dhe gjithashtu krijon lidhje më të forta financiare me diasporë në Kosovë.

Ndërsa, përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve të Diasporës në Berlin gjatë takimit me ministrin Hoti shprehën falënderimet e tyre për interesimin e Qeverisë së Kosovës, e cila po i ofron mundësi edhe diasporës për të investuar në Kosovë përmes politikave fiskale  por edhe në Bonot e Thesarit, ku sipas tyre, kjo ju mundëson bizneseve të diasporës që të ndikojnë drejtpërsëdrejti në krijimin e vendeve të reja të punës si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme