Hoti: Kosova qe një vit nën sanksione, Kurtin nuk e pret askush me nivel në SHBA

Prishtinë | 19 Gus 2024 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka komentuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në ShBA, i cili nuk do të pritet në nivele të larta, por po “takon pjesëtarë të komunitetit tonë atje dhe u tregon dogmat e tij që nuk i beson askush”.

“E ka vendin nën sanksione për më shumë se një vit. Ka marrë “kërcënime” nga aleati kryesor, SHBA, në rast se qeveria e tij me veprime të pakoordinuara i rrezikon ushtarët amerikan. Ka kohë që askush nuk e pret në administratën amerikane në nivele që duhet pritur një kryeministër”, ka shkruar ish-kryeministri Hoti, në faqen e Facebookut.

“Por ky shkon në konventën e demokratëve dhe në ndërkohë takon pjesëtarë të komunitetit tonë atje dhe u tregon dogmat e tij që nuk i beson askush për zhvillim në Kosovë”.

Sipas Hotit, faktet flasin se korrupsioni ka lulëzuar si kurrë më parë, se standardi i jetës ka rënë; 200 mijë të rinj e të reja fuqi punëtore kanë emigruar, ndërsa “investime të jashtme” janë vetëm blerjet e banesave nga mërgata jonë.

Të ngjashme