Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur tryezën me shoqërinë civile “Sfidat e Kuvendit të Kosovës në realizimin e mandatit kushtetues”.
Kryetari i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në këtë tryezë diskutimi përmendi disa probleme me të cilat po përballet shteti i Kosovës.
Ndër to veçoi mosfunksionimin e Kuvendit të Kosovës. Ai tha se nga 24 seanca që janë mbajtur, 20 prej tyre janë shtyrë për mungesë kuorumi, raporton Ekonomia Online.
Hoti tha se gjatë kësaj periudhe, LDK si opozitë është munduar të jetë sa më aktive në pyetje, debate etj.
“Ministrat dhe kryeministri nuk marrin pjesë në seanca edhe kur janë të obliguar dhe ne vlerësojmë që ka dështuar kontrolli demokratik i Kuvendit karshi Qeverisë së Kosovës dhe tani vlerësojmë që qeveria e vendit nuk ka legjitimitet qytetar dhe demokratik të udhëheqë në vendimmarrje”, tha Hoti.
Hoti shtoi se kryeministri i Kosovës nuk i ka në kontrollë zëvendësministrat dhe ministrat nuk japin përgjegjësi ndaj tij. Rasti që përmendi ai ishte në dëbimin e shtetasve turq, raporton EO.
Po ashtu Hoti tha se edhe shkarkimi i bordeve është bërë në mënyrë të padrejtë, sepse kjo është përgjegjësi e Kuvendit dhe jo e Qeverisë.
Po ashtu emërimi i nga 5 zëvendësministrave për secilën ministri, sipas tij, ka qenë shumë e panevojshme.
Gazetari Adriatik Kelmendi tha se qeverisjes së Haradinajt iu është dashur mbështetja e Beogradit për qeverisjen e tij, ngjashëm duhet për t’i siguruar votat nga Beogradi për t’i dhënë fund kësaj qeverie ose të shkojë në zgjedhje të reja sepse, sipas tij, vendi i Kosovës ka mbetur pezull ku opozita nuk ka fuqi të mjaftueshme të shkojë përpara në zgjedhje të parakohshme dhe as pushteti të ketë votat e nevojshme për vendimmarrje të qeverisë.
“Qeverisjes së Haradinajt i është dashur një mbështetje nga Beogradi nëpërmjet listës Serbe që kjo ka ndikuar për t’i siguruar votat në Beograd dhe ata vazhdojnë të punojnë me këto parti që t’i përshtaten agjendave të Beogradit e jo domosdoshmërisht serbëve të Kosovës”, shtoi Kelmendi.
Kelmendi tha se shpreson që me emërimin e kryeprokurorit të ri do të fillojë punën shumë shpejt Gjykata Speciale.
Ndërsa, Lulzim Peci, drejtor i KIPRED-it, tha se konsideron që shteti i Kosovës është në probleme kronike të Qeverisë në Kosovë, sepse kemi një parlament i cili është i pafuqishëm të ushtrojë kontroll demokratik në qeveri dhe gjyqësori dhe parlamenti nuk mundin të ushtrojnë funksionin e mbikëqyrjes ndaj qeverisë.
“Mospasja e kapacitetit nga ana e parlamentit në funksionimin e komisionit hetimor, nëse këto nuk funksionalizohen nga ana e parlamentit ne po tregojmë që vendi jonë nuk ka kapacitet për të kontrolluar qeverinë dhe qeveria bën çfarë t’i teket dhe nuk mundemi të ushtrojmë hetim parlamentar”, shtoi në fund Peci.