Koalicioni LAA, nuk e përkrahë idenë e themelimit të një Qeverie gjithëpërfshirëse për tejkalimin e krizës politike në vend.
Avdullah Hoti, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, dhe kandidat për kryeministër nga radhët e koalicionit LAA, ka përjashtuar edhe koalicionin me VV-në sepse ka sulmuar institucionet e vendit.
Deputeti i LDK-së Arben Gashi dje ka deklaruar se formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse do të mundësonte që vendi të dilte nga kriza politike.
Por ndryshe mendon Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti. Hoti për Express, ka deklaruar se PDK nuk e ka shumicën.
‘’Qëndrimi i Koalicionit të LDK-së është i qartë. Zgjedhjet e fundit kanë prodhuar një rezultat, ku PDK nuk mund të bëjë shumicën parlamentare“, ka thënë Hoti.
Hoti tutje është shprehur se LDK nuk do të bëjë koalicion me PDK-në e as Vetëvendosjen, pavarësisht se kjo e fundit haptas e ka ftuar për koalicion LDK-në.
”Qeveria e re nuk mund të udhëhiqet nga njerëz që kanë kapur institucionet, dhe as nga njerëz që kanë sulmuar institucionet”, ka deklaruar Hoti
E ndërkohë ai është shprehur se do të punojnë për ta bërë shumicën e nevojshme në mënyrë që me vendin të udhëheq koalicioni LAA.
”Vetëm koaliconi i LDK-së mund të formojë një shumicë të tillë. Ne do të angazhohemi që të formojmë shumicën e nevojshme për të udhëhequr me vendin, një shumicë që siguron Qeveri proevropiane, me fokus të qartë në sundimin e rendit dhe ligjit, një qeverisje me duar të pastra. Është vetëm LDK që mund t’i ofrojë vendit një qeveri të tillë, duke u nisur nga përvoja institucionale që ka”, ka thënë Hoti.