Marrëveshja finale me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti që ka folur në kuvend të Kosovës për bisedimet me Serbinë.
Hoti ka thënë se në përputhje me zotimet e Qeverisë së Kosovës për transparencë të plotë sa i takon dialogut, ka kërkuar që të informojë Kuvendin.
“Detyrimi im për të përfaqësuar Kosovën në dialog buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Edhe parimet mbi të cilat do të qëndrojë marrëveshja me Serbinë mbështeten në këtë Kushtetutë”, ka thënë Hoti.
Sipas kryeministrit, parimi i parë nënkupton se integriteti territorial është i panegocueshëm dhe i pacenueshëm.
Parimi i dytë nënkupton se organizimi kushtetues nuk mund të preket.
“Marrëveshja me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën, Kushtetuta është instrumenti i vetëm që i jep legalitet një marrëveshje të tillë”, ka thënë Hoti.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT HOTI NË SEANCËN E SOTME:
E nderuara Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
I nderuar kabinet qeveritar,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Në përputhje me zotimet e Qeverisë së Kosovës, për transparencë të plotë sa i përket dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, unë kam kërkuar ta informoj Kuvendin lidhur me zhvillimet e deritashme të këtij procesi.
E falënderoj Kryesinë e Kuvendit për mundësinë që këtë ta bëj në seancën e sotme.
Më lejoni që para jush edhe një herë të shpalos platformën e parimeve dhe objektivave që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërtuar rreth dialogut me Serbinë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në mes të dy vendeve.
Detyrimi im për ta përfaqësuar Kosovën në dialog buron nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Edhe parimet mbi të cilat do të qëndrojë marrëveshja me Serbinë mbështeten në këtë Kushtetutë.
Këto parime janë si në vijim:
1. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa negociueshëm, dhe për pasojë i pa cenueshëm nga çfarëdo përpjekje që mund të burojë nga çfarëdo faktorësh në procesin dialogues. Tërësia e territorit të Kosovës paraqet premisën kryesore mbi të cilën është themeluar dhe qëndron Republika e Kosovës. Çdo cenim i asaj tërësie është goditje e drejtpërdrejtë në qenësinë e Republikës së Kosovës, që është e papranueshme.
2. Organizimi kushtetues i Republikës së Kosovës nuk mund të preket, pasi si i tillë ai garanton funksionimin demokratik të pushteteve, paritetin në përfaqësim, si dhe mbron parimin e shtetit qytetar, e jo atij etnik. Prekja në organizmin unitar të Republikës së Kosovës do të ishte rruga më e shkurt për ta de-funksionalizuar shtetin e Kosovës dhe shpallur atë të paqëndrueshëm. Kjo nuk do të ndodhë.
3. Marrëveshja me Serbinë do të jetë në përputhje me Kushtetutën, sepse Kushtetuta është instrumenti i vetëm i jep legalitet një marrëveshjeje të tillë.
Të nderuar deputetë,
Pas 20 muajsh ka filluar procesi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke dhe normalizim të raporteve.
Më datë 10 korrik, nën organizimin e Presidentit të Francës, Emanuel Macron, dhe Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, është mbajtur Samiti i Parisit. Përveç delegacioneve të të dy shteteve të pranishëm ishin edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.
Nën mesazhet e forta të të dy liderëve evropianë dhe botërorë, për kthim në tavolinën e dialogut për të përmbyllur përfundimisht çështjet e hapura në mes të dy vendeve dhe me afate të qarta kohore, u dakordua edhe video Konferenca e parë në mes të dy palëve, e cila u mbajt dy ditë më vonë më 12 korrik.
Në samit dhe në video konferencë, unë kam paraqitur parimet që sapo i prezantova para jush, për të cilat paraprakisht kanë qenë të njoftuar Kuvend i Kosovës, Forumi i Liderëve të Partive Politike, Ambasadorët e Quinit, si dhe publiku i gjerë.
Më pas, më 16 korrik, është mbajtur takimi në Bruksel, ku ka filluar draftimi i marrëveshjes përfundimtare me dy temat e para, “personat e pagjetur” dhe “çështjet ekonomike”.
Tema e parë, pra “Personat e pagjetur” për Qeverinë e Kosovës është obligim shtetëror dhe moral ndaj familjarëve të tyre. Andaj, si e tillë është trajtuar duke filluar me parimet dhe kërkesat e qarta, siç janë:
– që, në përputhje të plotë me Ligjin Ndërkombëtar Humanitar, të zgjidhjet çështja së personave të zhdukur përfshirë zbulimin e informacionit dhe ofrimin e të gjitha burimeve të nevojshme njerëzore dhe teknike për zgjidhjen e kësaj çështje,
– sjellja e drejtësisë në vend, dhe
– kërkesa për kujdesin e nevojshëm për familjet e viktimave sipas standardeve ndërkombëtare.
Po ashtu, në lidhje me këtë temë, kemi kërkuar shpalosjen e informacionit të plotë nga:
– arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave,
– Ministrisë së Punëve të Brendshme,
– strukturave të Mbrojtjes Territoriale,
– trupat paramilitare dhe vullnetare, të cilat vepruan në Kosovë si dhe
– shpalosja e informacionit të plotë në lidhje me dyshimin për shpërndarjen e trupave në shkritore dhe furra në Kosovë dhe Serbi.
Ndërkaq tema e dytë ka të bëjë me çështjet ekonomike, ku përfshihen:
– kompensimi i dëmeve të luftës,
– sukcesioni,
– borxhi shtetërorë,
– pensionet,
– kursimet në banka,
– pagat e humbura të punëtorëve të larguara nga puna,
– dëmtimet e pronës private.
Po ashtu, kemi kërkuar që në marrëveshje të përfshihet respektimi i plotë i katër lirive themelore të BE-së, që janë lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me projektet infrastrukturore rajonale.
Dua ta konfirmoj edhe njëherë që për Qeverinë e Kosovës dhe për mua si Kryeministër, nuk ka dhe nuk do të ketë dialog teknik.
Të gjitha takimet në ditët në vijim do të jenë vetëm për draftimin e marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Të nderuar deputetë,
Unë e kam përgjegjësinë në këtë proces. Unë do ju mbaj të informuar gjithë kohën për zhvillimet në këtë proces dhe do të jem llogaridhënës karshi jush.
Por, unë nuk do të rri duarkryq, dhe as nuk do të qahem para jush duke u ankuar për teori konspirative me harta e thika, apo me komplote për ndarje territoriale.
Unë do të ushtroj autorizimet e mia kushtetuese, pa interferim nga askush.
Unë e kam caktuar Koordinatorin Shtetëror për Dialog, në përputhje me Platformën tonë për Dialog, vendimin e Qeverisë për Zyrën për Dialog dhe autorizimeve kushtetuese që unë kam.
Zoti Hyseni ka një përvojë të madhe në diplomaci, duke qenë afër Presidentin Rugova, duke shërbyer si shef i diplomacisë së Kosovës, dhe personi kryesor që ka përfaqësuar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kur u vulos Deklarata e Pavarësisë.
Unë i besoj atij dhe ai më përgjigjet mua. Ai më përfaqëson mua në procesin e dialogut dhe punon sipas udhëzimeve të mia.
Të nderuar deputetë,
Për Qeverinë e Kosovës, dialogu nuk ka alternativë. Destinacioni i Kosovës është integrimi i plotë euro-atlantik.
Me mbështetjen e miqve, ne do të arrijmë qëllimin tonë, sepse është në interes të Kosovës, në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon, si dhe në interes të BE-së dhe SHBA-së.
Gjatë këtij procesi të vështirë, ne besojmë në miqtë tanë, siç kemi besuar kur ata e mbështetën çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Kohëve të fundit, në skenën politike po dëgjohen zëra që po vënë në pikëpyetje pozicionin e shtetit të Kosovës karshi këtij procesi.
Ju them me bindje se askush nuk duhet të trazohet nga normaliteti që e po ndërtojmë, sepse është në të mirën e të gjithëve.
Për vetëm një muaj, ne e rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin, krah miqve tanë. Nga një raport i lënduar me BE dhe SHBA, tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut, që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve.
U pritëm me nderimet më të larta shtetërore nga Presidenti Francez, Presidenti i Këshillit Evropian, Presidentja e Komisionit Evropian, Komisionieri për Zgjerim dhe zyrtarë të lartë të BE-së.
Për vetëm një muaj, ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës, të cilën më nuk e përmend kush.
Askush nuk përmend më harta e gërshërë, thika, gjak, shampanjë, konflikt i ngrirë apo eksperimente të ngjashme nëpër botë.
Për kaq pak kohë, ne thyem izolimin politik dhe diplomatik. Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog.
Këtë e bëmë pa hezit, pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë.
Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme.
Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t’u përballur është tashmë pas nesh.
Parimet e qarta, si dhe sinqeriteti ynë përballë partnerëve, po na sigurojnë garanci për proces dialogues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Kjo do të jetë një marrëveshje që Kosovës i jep atë që i takon – e barabartë dhe e integruar në familjen e madhe euroatlantike.
Nuk kemi asnjë arsye të mos i besojmë vetes tonë, miqve tanë të çmuar dhe të drejtës sonë si popull.
Faleminderit.