Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka thënë se masat aktuale anti-covid mbesin në fuqi.
Ai këtë e ka bërë të ditur pas një takimi që ka zhvilluar më me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.
“Në takim me ministrin e Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani dhe me drejtorin e SHSKUK-së, z. Valbon Krasniqi, vendosëm që të mbesin në fuqi masat e njëjta anti Covid-19.
Institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota, furnizimi me barna është stabil, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrij kontingjenti i parë i prej 33 mijë dozave të vaksinës COVAX dhe menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve.
Nga qytetarët kërkuam që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa institucionet përgjegjëse të shtojnë angazhimin për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19 përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi”, ka shkruar Hoti.