Hoti: Ndjenjë e veçantë nënshkrimi me universitetin që mban emrin e Ukshin Hotit

Prishtinë | 04 Mar 2019 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti, është takuar me ushtruesin e detyrës së Rektorit të Universitetit “Ukshin Hoti”në Prizren, Ismet Temaj. Gjatë këtij takimi ata nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për zbatimin e Programit Nacional për Rininë.

Koordinatori Hoti me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, shpalosi Programin Nacional për Rininë dhe tha se në kuadër të këtij programi do të mbahen gara për të gjithë nxënësit dhe studentët e Republikës së Kosovës.

“Nuk mund ta fsheh se nënshkrimi me Universitetin që mban emrin e Ukshin Hotit, për mua është më i veçantë dhe emocional. Jam i lumtur që nënshkruaj me një universitet që mban emrin e një njeriu të madh të kombit me të cilin personalisht kam punuar një dekadë. Përveç garës në të cilën do të përfshihen studentët, tashmë universitetet dhe kolegjet kanë premtuar se do të ofrojnë studentë vullnetarë për monitorimin e garave nëpër shkolla. Pres që edhe studentët e Universitetit “Ukshin Hoti”, sikur ai, të ndjekin rrugën e punës vullnetare dhe në shërbim të së mirës së përgjithshme”, tha Koordinatori Hoti.

Ndërsa, u.d. Rektori Temaj tha se e mirëpret Programin Nacional për Rininë dhe se do ta mbështesë realizimin e tij. “Kjo marrëveshje është mjaft e mirë për studentët dhe të gjithë rininë e vendit. Ne e përkrahim në vazhdimësi këtë program dhe mesazhi im është që të gjithë studentët të jenë pjesë e këtij programi sepse në kuadër të tij jepet mundësia e garimit në fusha të ndryshme”, tha Temaj.

Marrëveshja e bashkëpunimit përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e studentëve në garat e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe të sportit.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme