Hoti në Mitrovicë: Kundërshtarët e LDK-së në këto zgjedhje janë kundërshtarë të shtetit të Kosovës

Mitrovicë | 13 Jan 2021 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë shumë e ashpër pasi kundërshtarët politik të LDK-së nuk janë vetëm rival politik, por janë kundërshtar të shtetit të Kosovës dhe të çdo gjëje që është arritur tash e 20 vite në Kosovë, paralajmëroi të mërkurën kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, gjatë një takimi me strukturat e kësaj partie në qytetin e Mitrovicës. 

“ Kemi me u përballë më një fushatë të vështirë. Kundërshtarin që e kemi në këto zgjedhje nuk është vetëm rival politik por është kundërshtuar i shtetit të Kosovë. Ata janë kundërshtar të çdo vlere që e kemi kriju deri sot. Gara do të jetë e vështirë. Unë jam i vendosur që bashkë me të gjithë personat që do të jenë në listë për deputetë,  që garën ta bëjmë fuqishëm dhe do të luajmë rëndë siç thuhet, jo me veprime tjera përveç duke qenë të prerë dhe të drejtpërdrejtë se kush janë këta njerëz dhe kush jemi ne”, tha Hoti. 

Ai potencoi faktin se në Kosovë tash e disa vite po bëhet propagandë e egër ndaj LDK-së dhe ndaj të arriturave që janë shënuar në Kosovë që nga përfundimi i luftës. 

“Në Kosovë është bërë fushatë disavjeçare e shpërlarjes së trurit, duke ndërtu kauza të rrejshme, duke ndërtua teori konspirative me thika e me harta e me gjëra të pavërteta, duke tentu që veç me grumbullu frustrim të qytetarëve dhe njerëzve me qëllim që të shkatërrohet çdo gjë që është ndërtu në këtë shoqëri, prandaj do të organizohemi mirë që ta bëjmë një garë siç i ka hije LDK-së,  një garë frontale politike, të drejtpërdrejtë, me gjuhë të prerë dhe të ashpër nganjëherë sepse ndryshe nuk bën”, theksoi kandidati i LDK-së për kryeministër, thuhet në komunikatën e LDK-së

Ai foli edhe për kulturën politike të LDK-së, e cila sipas Hotit është keqpërdorur nga disa njerëz të partisë. 

“Duke qenë strikt në respektimin e kulturës së LDK-së kemi kriju njerëz që nuk meritojnë farë vëmendje publike e as prezencë në jetën shoqërore e institucionale të vendit. Kemi ardhë deri në situatën që debatet nëpër televizione nuk mund ti përcjellës kur je bashkë me familje. Fatkeqësisht ata njerëz tentojnë të marrin përgjegjësi shtetërore e institucionale. Është obligim i ynë i të gjithëve në shtetin e Kosovës, që të parandalojmë rrëshqitjen e shtetit të Kosovës në drejtim të gabuar, pasi për këta 7 muaj mezi kemi arritur që ta kthejmë Kosovën në kursin e duhur perëndimor dhe të parandalojmë rrëshqitjen drejt lindjes”, tha Hoti. 

Për këto arsye, Hoti, kërkoi mobilizimin më të madh të elektoratit të LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit. Më herët gjatë ditës kandidati i LDK-së për kryeministër takoi edhe strukturat partiake në Skenderaj. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme